Paqe mes SHBA dhe Iranit? Tre pikat që pengojnë marrëveshjen përfundimtare

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje “në parim” për t’i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, por diplomatët paralajmërojnë se rruga drejt finalizimit mbetet e ndërlikuar.

Sipas burimeve diplomatike, palët pritet të hyjnë në një periudhë testimi 60-ditore sapo të përfundojnë detajet përfundimtare të marrëveshjes. Tregjet ndërkombëtare kanë reaguar pozitivisht ndaj zhvillimeve, me çmimin e naftës Brent Crude që ka rënë nën pragun psikologjik prej 100 dollarësh për fuçi, ndërsa indeksi S&P 500 ka shënuar rritje të lehtë.

Marrëveshja parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe një zotim publik nga Irani se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe se do të dorëzojë rezervat e uraniumit të pasuruar.

Megjithatë, burimet thonë se negociatat kanë ngecur në tre pika kyçe.

Një nga mosmarrëveshjet kryesore lidhet me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Teherani këmbëngul se menaxhimi i ngushticës është një “e drejtë legjitime” e Iranit dhe se vendi nuk mund të heqë dorë nga kontrolli mbi këtë korridor strategjik energjetik. Nga ana tjetër, administrata e Donald Trump përballet me presion të brendshëm politik për të shmangur perceptimin e një “dorëzimi” ndaj Iranit.

Një tjetër pikë kritike është çështja e uraniumit të pasuruar dhe objekteve bërthamore iraniane. Uashingtoni kërkon që procesi i dorëzimit dhe çmontimit të monitorohet drejtpërdrejt nga amerikanët, ndërsa Teherani e konsideron këtë si një poshtërim politik dhe diplomatik.

Në të njëjtën kohë, Irani ka propozuar një deklaratë publike ku garanton se nuk do të zhvillojë apo blejë armë bërthamore. Ky propozim po shqyrtohet nga SHBA-ja dhe Izraeli, i cili e konsideron programin bërthamor iranian një “vijë të kuqe” të sigurisë kombëtare.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar garanci të forta nga Uashingtoni, ndërsa Trump ka insistuar se marrëveshja e re “do të jetë më e fortë” se marrëveshja bërthamore e epokës së Barack Obama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu