Paralajmërimi për bllokimin e kufijve, policia: Situata në pikat kufitare në veri është e qetë

Policia e Kosovës ka thënë se situata në pikat kufitare në veri është e qetë, pas paralajmërimeve të një grupi serbësh për bllokim të pikave kufitare me Kosovën.

Zëvendësdrejtori për Rajonin e Veriut, Veton Elshani tha se nuk dihet për numrin e protestuesve dhe se nuk është me rëndësi derisa ata nuk tentojnë të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Nuk kemi informacion për numrin e protestuesve, për neve nuk është me rëndësi se sa persona janë, munden me qenë me mijëra por janë në pjesën e tyre, nëse tentojnë të hyjnë në anën tonë, ne jemi këtu. Nuk parashihet se do të ketë probleme në veri, e në bazë të bllokadës dhe do të veprojmë”, u shpreh zëvendësdrejtori, për Klan Kosovën.

“Nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it pasi asgjë nuk do të ndodh në veri, nëse tentojnë të vijnë në veri ne këtë punë kemi, të sigurohemi që nuk kallet pika kufitare, dhe i marrim masat e duhura. Gjithçka është në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë”, tha Elshani në Kosova Today.

Për paralajmërimin për bllokim të kufijve, reagoi sot edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Gërvalla ka thënë se sot se kërcënimet për bllokim të pikave kufitare, janë dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë, të cilat Gërvalla tha se shkojnë përtej kërcënimeve verbale.

“Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe për forcimin e pranisë së saj në vendin tonë si një garanci e për mbrojtjes e paqes në rajon. Ne shohim Serbinë si një rrezik për stabilitetin rajonal, kërcënimet për bllokimet sot të pikave kufitare janë vetëm dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm, jemi të vendosur që së bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, përfshirë Turqinë të vazhdojmë të ruajmë dhe forcojmë paqen në Kosovë dhe më gjerë”, tha Gërvalla.

Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka thënë të enjten se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës.

Siç raportuan mediat serbe, Rojeviq ka thënë se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova dhe se katër nga pesë vendkalimet kufitare nga drejtimi i Serbisë qendrore dhe Malit të Zi do të bllokohen.

“Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.

“Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdar nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviq duke shtuar se të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim.

Lidhur me këtë paralajmërim ka reaguar KFOR-i.

Sipas tyre, është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Ndërkaq, në përgjigje KFOR-i ka thënë se komente tjera lidhur me çështjen e paralajmërimit për bllokim kufijsh, mediat t’i drejtohen autoriteteve të Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.

Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.

Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”.

Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë ndërmarrë një sërë veprimesh në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre. /Reporteri.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu