Partitë a do të heqin bërrylat për profesionistët dhe shoqërinë civile në listat për deputetë

Partitë politike sërish po targetojnë me kuadro partiakë në përpilimin e listave për deputetë. Ky trend tashmë është i njohur në Maqedoninë e Veriut.

Së fundi janë shtuar pyetje dhe debate se në kuadër të këtyre listave për deputetë a do të nis një frymë e re, ku pjesë e tyre të përfshihen edhe personalitete publike nga jeta publike, shoqëria civile, kuadro të mirëfillta dhe profesionistë në fusha të ndryshme, përcjell INA.

Një sprovë të tillë ka sidomos opozita e bashkuar shqiptare VLEN, e cila tashmë po vjen me slloganin për ndryshim dhe duke u bazuar në suportimin nga Lëvizja Vetëvendosje. Siç dihet ky subjekt politik në Kosovë ka hapur dyert dhe pjesë e listave të saj janë kryesisht profesorë universitarë, profesionistë të fushave të ndryshme, artistë dhe personalitete tjera.

Analisti politik Emin Azemi: Nuk mund të jesh edhe ekspert i shquar i një fushe, edhe tifoz partiak!

Partitë politike gabimisht i kanë projektu politikat kadrovike, pasi që e kanë reduktur hapësirën e veprimit ekskluzivisht për njerëz partiak, të cilët duhet patjetër të jenë anëtar partie, ose të jenë të pëlqyer nga partitë. Kjo do të ishte në rregull sikur përzgjedhja e këtyre njerëzve partiak të ishte korrekt. Por jo. Në praktikë, ndodhë që edhe brenda një partie të bëhet njëfarë selektimi negativ, ku jo gjithmonë të aftit favorizohen.

Prandaj, duke u nisur nga këto dhe hendikepet tjera, mendoj se partitë politike, duhet të jenë më të hapura ndaj prurjeve që vijnë nga një treg më i gjerë i vlerave, sidomos ndaj kuadrove që janë të dalluar në fushat e tyre, përfshi edhe ata që veprojnë në diasporë. Mbyllja dhe ngushtimi i hapësirave për kuadro që nuk janë domosdoshmërisht të preferuar partiakisht, nuk mendoj se është në favor të zhvillimit tonë si komb dhe si shoqëri. Kjo vlen sidomos për kuadrot profesionale nga fusha e mjekësisë, inxhinjerisë, arsimit, ekonomisë etj. ku duhet të zëjë vend meritokracia në bazë të rezultateteve të treguara në profesion, e jo në tifozeri partiake.
Nëpër vendet e zhvilluara të botës, ka me mijëra kuadro të shkëlqyer, bindjet politike të të cilëve nuk merren parasysh kur punësohen. Një mjek i shquar që drejton një klinikë, ose një inxhinjer i IT që dizajnon një softver, nuk e ka të domosdoshme të ketë perefernca politike për të qenë aty ku është, dhe aq më pak të jetë anëtar i ndonjë partie politike. Sepse, mendoj unë, nuk mund të jesh edhe ekpert i shquar i një fushe, edhe të jesh tifoz partiak. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë.

Analisti politik, Nijazi Muhamedi: Jo që nuk duhet, por as është dashur të nis ndryshimi pa përfshirje cilësore dhe të ndershme të kapitalit intelektualë dhe të shoqërisë civile

Jo a duhet, por nuk është dashur as të hamendësojë, as ta nisë “ ndryshimi” pa një përfshirje cilësore dhe parimisht të ndershme dhe pa hile të shoqërisë civile, kapitalit intelektual të krijuar tash pas veprimit të tre universiteteve që i kemi. Dihet se partitë ekzistuese kanë ikur, janë larguar verberisht nga kapitali intelektual të brezit të ri veçmas. Ato mbështeten vetëm ten klientela boshe e partizanësisë se krijuar si anëtarësi. Nëse tani sidomos opozita shqiptare nuk e kalon këtë provë fundamentale që mund ta vektorizojë ndryshimin, dështimi mund t’i vijë pashmangshëm…:!

Haxhi Dauti nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan: Partitë shqiptare nuk dëshmojnë se kanë ndonjë vizion të qartë për të sjell shpresë

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut është shumë e qartë se përmes përfaqësimit kadrovik nuk kanë prodhuar shumë për interesin kombëtar dhe arsimor.
Në këtë frymë pozita dhe opozita nuk më ka dhënë ndonjë shpresë të madhe ose se do të sjellin ndonjë ndryshim, sepse ky përfaqësim nuk reflekton vizion të qartë për të ardhmen në arsim, zhvillim dhe sfera të tjera që janë edhe të interesit kombëtar.
Partitë me këtë frymë duke evituar njerëzit profesionistë dhe të dëshmuar vuajnë për pushtet dhe për populizëm, që nuk ka asgjë të keqe, por ato duhet të punojnë për të mirën e popullit dhe të interesave kombëtare.
Sa i përket përfaqësimit, sigurisht se do të ishte mirë që të ketë një përfshirje të personaliteteve të mirëfillta politikanësh. Sa i përket deputetëve nga diaspora mendoj se nuk ka nevojë sepse nuk mund të funksionojë dhe nuk është e frytshme, por ka forma tjera të përfshirjes së tyre.
Unë vlerësoj se përfaqësimi politik apo deputetët duhet të jenë politikanë me përvojë dhe jo të korruptuar. Shpresoj që pozita dhe opozita të ndërrojnë sjelljen e tyre me njëra tjetrën duke vepruar si armiq, sepse kështu çmimin e paguan qytetari. Gjëja më e bukur dhe me prioritet është që të sjellës paqe dhe prosperitet në shoqëri. Kjo është thelbësore se çfarë përfaqësimi duhet të ketë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu