Partitë njoftojnë zhbllokimin e Kuvendit, në pritje të pakos së pestë ekonomike

Partitë bënë hapa konkrete për zhbllokimin e Kuvendit. VMRO-DPMNE-ja do të tërheqë të gjithë amendamentet për ligjin për shtetësi me të cilat deri tani ky ligj ishte bllokuar. Në këmbim, kjo parti kërkon që Koalicioni opozitar shqiptar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të tërheqë amendamentet nga ligjet e pakos së pestë ekonomike, përcjell kronika e Alsat.

VMRO-DPMNE-ja pret propozim të ri për ligjin për shtetësi i cili buron nga marrëveshja mes kryeministrit Zoran Zaev dhe opozitës shqiptare. Përveç kësaj, ata kërkojnë përfshirje ose të informohen për detajet e zgjidhjes së re ligjore për shtetësinë.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se do të qëndrojnë pas zotimeve të dhëna. “Natyrisht mbajë përgjegjësi për shqetësimet e të gjithë qytetarëve por do të duhet të trajtohen njësoj. Edhe kryetarët tanë kanë deklaruar që në momentin që tërhiqet bllokada për ligjin për shtetësi në Komisionin për mbrojtje dhe siguri natyrisht se të njëjtën do ta bëjmë ne për pakon e pestë ekonomike në Komisionin për financa dhe buxhet”, theksoi deputeti Elmi Aziri nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

“E Majta” nuk ka amendamente për ligjin për shtetësi. Thotë se edhe përskaj amendamenteve në ligjet e pakos së pestë ekonomike nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ligjet do të ishin miratuar në rast se ky do të kishte qenë synimi i shumicës. Opozita shqiptare kohë më parë bllokoi me dhjetëra mijëra amendamente disa ligje mes të cilave edhe ata për pakon e pestë ekonomike, si kusht për zhbllokimin e ligjit për shtetësi të cilin e kishte bllokuar me amendamente VMRO-DPMNE-ja./Alsat


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu