Partitë shqiptare në Mal të Zi drejt bashkimit në një subjekt të vetëm politik

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi po avancojnë drejt një bashkimi formal në një subjekt të vetëm politik, Forumin Shqiptar, në atë që konsiderohet si përpjekja më e madhe për unifikimin e faktorit politik shqiptar në nivel shtetëror.

Sipas raportimeve të Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG), marrëveshja parashikon bashkimin e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Nacional Shqiptar në një organizatë të vetme politike.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se ky proces po mbështetet mbi sukseset e deritanishme të bashkëpunimit politik mes këtyre forcave, përfshirë drejtimin e komunës së Tuzit, rezultatin rekord me dy mandate deputetësh në nivel shtetëror, si dhe përfaqësimin me dy poste ministrore në Qeverinë e Malit të Zi.

Sipas të njëjtave burime, performanca e përfaqësuesve të Forumit Shqiptar në ekzekutiv dhe rritja e mbështetjes elektorale kanë shërbyer si faktorë shtytës për finalizimin e bashkimit politik.

RTCG raportoi gjithashtu se sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë një rritje të ndjeshme të mbështetjes për Forumin Shqiptar edhe në Ulqin, ku kjo forcë politike po konsiderohet tashmë një ndër alternativat më të fuqishme në skenën politike lokale.

Një ndër objektivat kryesore të subjektit të bashkuar pritet të jetë marrja e drejtimit të komunës së Ulqinit pas zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Sipas raportimeve, është pothuajse e sigurt që drejtimin e organizatës së re politike do ta marrë Nik Gjeloshaj, ndërsa rol të rëndësishëm në procesin e negociatave dhe konsolidimit kanë luajtur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha.

Përfaqësues të përfshirë në proces e kanë cilësuar këtë zhvillim si konsolidimin më të madh politik të shqiptarëve në Mal të Zi që prej rikthimit të pavarësisë së vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu