Për herë të parë pas shumë vitesh, raportet mes Beogradit dhe Moskës kanë pësuar një krisje. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç mungoi në paradën ceremoniale të 9 Majit në Moskë, aktiviteti simbolik më i rëndësishëm i Vladimir Putinit për Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore. Emri i tij u la jashtë takimeve zyrtare të Kremlinit, një sinjal që ka ngritur pikëpyetje të mëdha për ftohjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pas tensioneve me Bashkimin Europian, duket se edhe Kremlini po i “mbyll derën” Vuçiçit, mes akuzave ruse për furnizim armësh ndaj Ukrainës, përplasjes për kompaninë energjetike NIS dhe presioneve gjithnjë e më të forta ndaj Serbisë për të zgjedhur mes Rusisë dhe Perëndimit.
Vuçiçi letër për Putinin
Edhe pse nuk udhëtoi drejt Rusisë, Vuçiç i dërgoi një letër urimi Vladimir Putinit përmes ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Bochan-Kharchenko. Sipas presidencës serbe, në takimin mes tamasadorit dhe Vuçiçit u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin energjetik dhe situatën rajonale. “Me ambasadorin e Federatës Ruse diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin energjetik dhe çështjet aktuale ndërkombëtare”, deklaroi Vuçiç.
Përplasja për NIS-in
Sipas diplomatit serb Sreçko Djukiç, marrëdhëniet Serbi-Rusi janë rënduar ndjeshëm nga çështja e kompanisë energjetike NIS. Beogradi kërkon të blejë kontrollin mbi kompaninë, ndërsa Moska nuk pranon të heqë dorë nga ndikimi strategjik. “Serbia po kërkon të blejë NIS-in, por Putini nuk do ta shesë. Kjo është bërë një barrë serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve”, deklaroi Djukiç për gazetën Nova. Ai shtoi se një takim Vuçiç-Putin nuk do të sillte asnjë rezultat konkret dhe se presidenti serb zgjodhi “opsionin më neutral” duke mos udhëtuar në Moskë. “Nga ajo mbërritje, ai nuk do të kishte fituar asgjë dhe nuk do të kishte zgjidhur asgjë”, tha Djukiç. Një tjetër faktor që sipas analistëve ndikoi në mungesën e Vuçiçit ishte edhe situata e tensionuar e sigurisë në Rusi. Diplomati Djukiç deklaroi se autoritetet ruse kishin ngritur mbi 40 pika të mbrojtjes ajrore rreth Moskës për shkak të frikës nga sulme me dronë ukrainas gjatë paradës në Sheshin e Kuq. “Qeveria ruse kishte paralajmëruar mundësinë e sulmeve ndaj paradës. Është e qartë që situata nuk konsiderohej e sigurt”, tha ai.
Rusia akuza të forta: Serbia po furnizon Ukrainën me armë
Në prag të Ditës së Fitores, media shtetërore ruse publikoi akuza të forta ndaj Serbisë. Sipas RIA Novosti, Serbia vazhdon të furnizojë Ukrainën me municione përmes vendeve të treta, pavarësisht neutralitetit zyrtar të shpallur nga Beogradi. Raporti pretendon se kompania serbe “Zenitprom” ka planifikuar dërgimin e 50 mijë raketave 122 mm për sistemet “Grad”, ndërsa pjesët përbërëse kalojnë përmes Bosnje-Hercegovinës, Sllovenisë dhe Polonisë. Media ruse TASS dhe portali “Voenoe Delo” publikuan gjithashtu raportime të ngjashme, duke ngritur dyshime se Serbia po luan në dy fronte. Kujtojmë se një vit më parë, Vuçiç mori pjesë personalisht në paradën e Moskës, pavarësisht kritikave të ashpra nga Bashkimi Europian. Atëherë, Brukseli paralajmëroi se pjesëmarrja në ceremoninë e Kremlinit shihej si mbështetje për propagandën ruse në luftën në Ukrainë. Vuçiç deklaroi në atë kohë se ishte i vetëdijshëm për “pasojat personale dhe politike” të pjesëmarrjes së tij në Moskë.
Presioni i BE-së
Fakti që Vuçiç nuk ishte në Moskë vjen pas marrëdhënieve të tensionuara me Bashkimin Evropian për shkak të “ligjeve Mrdić” të miratuara në Parlament, të cilat vunë në pikëpyetje pagesën prej gati 1.6 miliardë eurosh nga Plani Evropian i Rritjes. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, dha një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë: “Ne kemi një rregull që një vend që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së duhet të përputhet plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Nuk mund të ulesh në dy karrige. Serbia do të duhet të vendosë mes BE-së dhe Rusisë”. Deklarata u interpretua si paralajmërimi më i fortë deri tani ndaj politikës së dyfishtë të Vuçiçit.










