Pas Brukselit, ShBA dhe BE zbarkojnë në Kosovë e Serbi, DASH: Escobar po vjen për të mbështetur dialogun

Javë diplomatike do të jetë nga nesër në Prishtinë e Beograd.

Pas takimeve në Bruksel ku nuk pati ndonjë marrëveshje e as rezultate publike, këtë javë diskutimet e mbetura pezull e mospajtimet atje do të zhvendosen në Kosovë e Serbi.

Në fakt në Prishtinë e në Beograd do të vijnë emisarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar do të vizitojë dy kryeqytetet për të mbështetur dialogun.

Kështu i ka thënë Telegrafit një zëdhënës i Departamentit Amerikan të shtetit.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar po udhëton në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur dialogun”, deklaron një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Telegrafin.

Ndryshe nesër është caktuar një takim mes z. Escobar dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu.

Për dallim nga i dërguari amerikan Escobar, ai i BE-së Mirosllav Lajçak në Kosovë do të jetë ditën e mërkurë merr vesh Telegrafi nga burimet brenda BE-së.

Dy të deleguarit nga SHBA e BE do të takohen edhe me përfaqësues të partive politike.

z. Escobar nga SHBA dhe z. Lajçak nga BE

Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje javën e kaluar në Bruksel për targat, letërnjoftimet dhe temat tjera që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimi nuk ishte fare i lehtë dhe as i rregullt, pasi ka ardhur si rezultat i tensioneve të krijuara në veri të vendit.

Ai ka deklaruar se nuk do të dorëzohet dhe se ende ka kohë deri më 1 shtator, kur do të hyjë në fuqi vendimi i Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumente hyrje-dalje./Telegrafi/.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu