Pas NATO-s, Macron kapet me Bosnjën: Një “bombë me sahat”

Presidenti francez Emmanuel Macron ka trazuar sërish opinion kur ka përshkruar Bosnjën si një “bombë me sahat” duke e cilësuar atë si “shqetësimi më i madh për Evropën në Ballkan për shkak të shtetasve të saj që morën rrugën për Siri e Irak”. Kjo ndodh një ditë pasi ai cilësoi NATO-n si nën “vdekje klinike”.

Anëtari kroat i presidencës së Bosnjës, Zhelko Komishiç, tha se ai do të thërriste ambasadorin e Francës në Sarajevë për një shpjegim të komenteve që Macron bëri në një intervistë me revistën The Economist, botuar të enjten.

I pyetur në lidhje me bllokadën që i bëri Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit për integrim në BE, Macron tha se asnjë nga të dy vendet nuk ishte burimi i shqetësimit në Ballkan.

“Nëse jeni i shqetësuar për këtë rajon, në rend nuk është as Maqedonia, as Shqipëria, por Bosnje-Hercegovina. Ajo është një bombë me sahat pranë anëtares së BE-së, Kroacisë. Bosnja përballet me problemin e kthimit të militantëve,” tha Macron, duke iu referuar luftëtarëve të arratisur ose të liruar nga grupi i armatosur i të cilët mund të kthehen në Evropë.

Ministria e Jashtme Franceze nuk dh asnjë përgjigje ndaj një deklarate të tillë.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Bosnjës, Muhamed Jusiç, i përshkroi komentet e Macron si “skandaloze” dhe tha se presidenti francez po shpifte për Bosnjën për të justifikuar parandalimin e vendeve të Ballkanit me “popullsi të konsiderueshme muslimane” nga përmbushja e aspiratave të tyre për anëtarësim në BE.

“Rreth 300 qytetarë boshnjakë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, shkuan në fushat e betejave në Siri dhe Irak në krahasim me mbi 1.900 francezë”, tha Jusiç, duke shtuar se Franca ka dyfishin e luftëtarëve të huaj , më shumë se çdo vend tjetër i Evropës Perëndimore.

“Këto ditë, Franca pret kthimin e 450 militantëve. … Unë nuk e di si ky mund të jetë problem i madh në Bosnje, nëse nuk është i tillë në Francë,” shtoi ai.

Associated Press shkruante në 2015 se nga një total prej 5000 luftëtarësh që kanë shkuar në Irak dhe Siri, ku “Franca ka statistikën e pakëndshme si eksportuesi kryesor i militantëve në Evropë.”

Sipas inteligjencës boshnjake, 241 të rritur dhe 80 fëmijë u larguan nga Bosnja ose diaspora e Bosnjës midis viteve 2012 dhe 2016 për në Siri dhe Irak. Aty lindën edhe 150 fëmijë të tjerë.

Rreth 100 të rritur, rreth gjysma e tyre gra, mbeten atje, ndërsa të paktën 88 janë vrarë.

Në vitin 2014, Bosnja u bë vendi i parë në Evropë që miratoi ligjin me 10 vjet burg për cilindo qytetar të saj që përfshihet në konflikt jashtë vendit ose rekruton dikë.

Luftëtarët që janë kthyer në vend u gjykuan dhe, në shumicën e rasteve, u dënuan me burg. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu