Pas sfidës së Prengës, një tjetër boksier shqiptar synon ringun me Anthony Joshuan: Kush është Roberto Bakaj?

Bota e boksit shqiptar po tërheq sërish vëmendjen e skenës ndërkombëtare, pasi pas përballjes bujare të Kristian Prengës me yllin britanik Anthony Joshua, një tjetër boksier kuqezi ka dalë hapur me një sfidë direkte ndaj ish-kampionit të botës.
Bëhet fjalë për Roberto Bakajn, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje britanikut për një duel.

“Le ta bëjmë realitet! Ju garantoj se miliona tifozë shqiptarë dhe tifozë të panumërt të boksit në mbarë botën do ta mbështesin këtë event. Të gjithë janë jashtëzakonisht të entuziazmuar dhe mezi po e presin këtë përballje. Le t’u japim njerëzve atë që duan”, ka shkruar Bakaj.

Kjo thirrje vjen pas meçit të zhvilluar në Arabinë Saudite, ku Anthony Joshua mposhti Kristian Prengën me nokaut në raundin e dytë, pavarësisht se Prenga pati momente të shkëlqyera duke e rrëzuar dy herë ish-kampionin në raundin e parë. Ndërkohë që Joshua po përgatitet për një përballje të madhe historike me Tyson Furyn, kërkesa e Bakajt ka shtuar një tjetër emër nga trojet shqiptare në listën e pretendentëve që synojnë majat e peshave të rënda.

Kush është Roberto Bakaj?

Roberto Bakaj është një ndër boksierët shqiptarë që po spikat në arenën profesioniste falë statistikave të tij mbresëlënëse.

Ai ka zhvilluar gjithsej 16 meçe në karrierën e tij profesioniste dhe i ka fituar të gjitha, duke mos regjistruar asnjë humbje.

Të gjitha fitoret e tij (16 meçe) janë arritur me nokaut, çka e rendit atë si një ndër goditësit më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm në kategorinë e tij.

Me këtë bilanc perfekt dhe ambiciet e shfaqura publikisht, Bakaj kërkon të shfrytëzojë hovin e krijuar nga boksierët shqiptarë për të siguruar një përballje të madhe ndërkombëtare./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu