Barcelona ka shkarkuar Ronald Koeman nga posti i trajnerit pas humbjes të së mërkurës në Rayo Vallecano, ndërsa roli tani thuhet se i është ofruar legjendës së klubit, Xavi.
Humbja nga Vallecano e la Barcelonën në vendin e nëntë në tabelën e La Ligas, pasi kishte fituar vetëm katër nga 10 ndeshjet e para të ligës.
Blaugranët gjithashtu kanë pasur vështirësi në Ligën e Kampionëve këtë sezon, gjë që çoi në largimin e Koeman pas pak më shumë se një sezoni në krye.
“FC Barcelona ka shkarkuar Ronald Koeman sonte si trajner i ekipit të parë. Presidenti i klubit Joan Laporta e informoi atë për vendimin pas humbjes kundër Rayo Vallecano”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Barcelona.
Barca mund të ketë së shpejti një zëvendësues për holandezin Koeman.
Mediumi Goal.com konfirmon se ish-mesfushorit të Barçës dhe trajnerit aktual të Al Sadd, Xavit, i është ofruar puna e liruar nga holandezi.
Xavi ka një klauzolë largimi me skuadrën e Katarit, por mësohet se ai dëshiron të kalojë te Barcelona, e cila është e përgatitur të paguajë tarifën e nevojshme për të siguruar shërbimet e 41-vjeçarin.









