Pas tankeve, ç’kërkon tjetër Zelensky nga Perëndimi

Negociatat midis Kievit dhe aleatëve të tij mbi kërkesat e Ukrainës për raketa me rreze të gjatë veprimi, për të cilat ajo thotë se i duhen për të parandaluar Moskën të shkatërrojë qytetet ukrainase, po vazhdojnë me shpejtësi, tha një këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelensky.

“Për të reduktuar në mënyrë drastike armët kryesore të Rusisë, ne kemi nevojë për raketa që do të shkatërrojnë rezervat e tyre,” tha këshilltari presidencial Mihajlo Podolyak për televizionin ukrainas të shtunën.

Ai shtoi se ka më shumë se 100 depo artilerie në Krime, e cila ishte e pushtuar nga Rusia.

“Së pari, negociatat janë duke vazhduar. Së dyti, negociatat po përparojnë me një ritëm të përshpejtuar,” shtoi ai, por nuk u fut në detaje.

Zelensky, duke folur veçmas, tha se Ukraina dëshiron të parandalojë sulmet ruse në zonat urbane të Ukrainës dhe civilët.

“Ukraina ka nevojë për raketa me rreze të gjatë në mënyrë që t’i privojë okupatorit mundësinë për të vendosur raketat e saj diku larg vijës së frontit dhe të shkatërrojë qytetet e Ukrainës”, tha ai në video-mesazhin e tij të mbrëmjes.

Zelensky shtoi se Ukraina ka nevojë për raketa ATACMS të prodhuara nga SHBA, të cilat kanë një rreze veprimi prej 297 kilometrash. Por Uashingtoni deri më tani ka refuzuar të dërgojë këto armë.

Ukraina, së cilës i janë premtuar tanke perëndimore, ka kërkuar gjithashtu avionë luftarakë për të zmbrapsur forcat ruse dhe pro-ruse, të cilat po përparojnë ngadalë në disa pjesë të vijës së frontit. Forcat Ajrore të Ukrainës mohuan më parë një raportim të shtypit se synon të blejë 24 avionë luftarakë nga aleatët, duke thënë se negociatat po vazhdojnë, raportoi portali ukrainas Babel.

Gazeta spanjolle El Pais, duke cituar zëdhënësin e aviacionit ukrainas, Yuriy Ikhnat, shkroi se Ukraina fillimisht donte dy skuadrile, secila prej të cilave do të përbëhej nga 12 avionë, mundësisht avionë Lockheed Martin F-16.

Në një deklaratë për Babel, Ihnat tha se komentet e tij në konferencën për media të premten ishin keqinterpretuar.

“Ukraina është vetëm në fazën e negociatave në lidhje me avionët. Aktualisht, modelet dhe numri i avionëve janë duke u përcaktuar,” shpjegoi ai.

Ikhnat tha në një konferencë të premten se F-16 mund të jenë opsioni më i mirë luftarak me shumë role për të zëvendësuar flotën e vjetër të epokës sovjetike të Ukrainës. Ai gjithashtu i tha televizionit ukrainas se kombeve aleate nuk u pëlqejnë spekulimet publike rreth avionëve, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve Interfax.

Zëvendës-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të diskutojnë idenë e dërgimit të avionëve “me kujdes” me Kievin dhe aleatët e tij. Ndërsa ministri gjerman i mbrojtjes përjashtoi mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë këtë javë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu