Pas zgjedhjeve vjen rikonstruimi i qeverisë, Aleanca dhe Besa marin katër ministri

Pas zgjedhjeve lokale, që po sjellin ndryshim të madh në skenën politike në Maqedoni, pritet edhe rikonstruim qeveritar, njoftojnë burime të sigurta nga qeveria për Gazetën Lajm. Sipas këtyre burimeve, “Aleanca me Besë”, si blloku më u madh politik që ka mbi 30 mijë vota shqiptare më shumë se BDI-ja, do të udhëheqë numrin më të madh të ministrive shqiptare. Ky koalicion i sapo formuar pritet të drejtojë katër resore ministrore, kurse BDI-së do t’i mbeten tri ministri, njëra prej të cilave do të jetë pa resor.

Diplomatë të vendeve perëndimore në Shkup thonë për Gazetën Lajm se pas zgjedhjeve lokale kryeministri Zoran Zaev nuk do të jetë më i varur nga votat e BDI-së, sepse së paku pesë deputetët nga koalicioni i VMRO-së janë të gatshëm menjëherë të kalojnë në bllokun e LSDM-së.

“Zaev tani ka pozicion shumë më komot dhe nuk i nevojitet më BDI-ja për të krijuar shumicën qeveritare. Prandaj nuk do të jetë i interesuar të injorojë vullnetin e shqiptarëve, që tani bindshëm është në anën e koalicionit Besa-Aleanca. Për këtë arsye partner kryesor pas zgjedhjeve do ta ketë Aleancën dhe Besën”, theksojnë këto burime diplomatike.

Sipas tyre edhe pse tani mund të bëjë koalicion vetëm me Aleancën e Shqiptarëve dhe Besën, Zaev do të jetë i interesuar që në qeveri të jenë edhe BDI e PDSH, sepse në rast të një referendumi eventual për çështjen e emrit nevojiten votat e gjithë shqiptarëve. Në rast se BDI mbetet në qeveri, PDSH-së pritet t’i ofrohet një ministri, e nëse BDI vendos të dalë, PDSH mund të fitojë dy ministri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu