Pendarovski: Kam informacione se disa parti shqiptare po mundohen të bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve

Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi sot para mediave se ka informacione se disa parti shqiptare po mundohen të bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale.

“Deri tani dita e zgjedhjeve ka qenë transparente dhe e qetë. Unë supozojë se ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri në fund të ditës së zgjedhjeve, kjo nënkupton deri në ora 19:00. Nuk ka ndonjë arsye tjetër për të besuar se do të ketë çrregullime sepse për tri dekada e gjysmë ne pothuajse jemi në demokraci. Ajo që nuk është shumë e mirë për nivelin, për cilësinë e demokracisë në vendin tim është se ne po dëgjojmë që disa nga forcat politike, disa parti politike po përpiqen të pengojnë procesin zgjedhor thjesht duke i penguar njerëzit të marrin pjesë në votimin e raundit të dytë. Nëse është kështu, nëse kjo konfirmohet në fund të ditës, kjo do të thotë se vullneti i lirë i njerëzve është shtypur”, deklaroi Pendarovski.

Ai ka pohuar se çka nuk i pëlqen dhe nuk e sheh si gjë demokratike deri tani në këtë ditë të zgjedhjeve është që ka informacione se disa parti politike shqiptare janë duke u munduar për t’i ndaluar shqiptarët atje të votojnë. I pyetur edhe nga gazetarët se njëra prej arsyeve të bojkotimit të mundshëm të shqiptarëve të procesit zgjedhor mund të jetë pasi nuk kanë kandidat për president, ai tha se nuk e beson këtë dhe se kjo gjë nuk duhet të jetë. “Nëse këto janë arsye unë i kundërshtoj fuqishëm”, tha Pendarovski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu