Pendarovski: Nuk mendoj se në Shqipëri po krijohet ndonjë skenar anti-maqedonas

Ka kaluar koha kur Maqedonia e shihte si kërcënim sigurie Shqipërinë fqinje, u shpreh Presidenti Stevo Pendarovski, duke shtuar se nuk sheh asnjë prapavijë e sidomos prapavijë të keqe në takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare.

Për reagimet që pati në opinion se në takim është biseduar për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, Pendarovski tha se as nga ky këndvështrim nuk ka diçka kontestuese sepse është e ditur prej kohësh se krerët shqiptarë nuk bëjnë problem për ndryshimin e Kushtetutës, së paku ata që ishin në Tiranë.

Ka kaluar koha kur duhej të shohim proceset politike ose ngjarjet, takimet që ndodhin në Tiranë si kërcënim të sigurisë për ne. Mos harroni, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s. Republika e Shqipërisë bashkë me ne nisi bisedimet për anëtarësim në BE. Republika e Shqipërisë është mikja jonë. Nuk kam fare dyshim për ndonjë qëllim të fshehtë të kryeministrit shqiptar, të cilin e njoh mjaft mirë dhe e njihni edhe ju të gjithë. Nuk mendoj se aty po krijohet ndonjë skenar anti-maqedonas”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Asgjë kontestuese në takim nuk sheh as kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski i cili dje tha se Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë. Mirëpo VMRO-DPMNE vazhdon të këmbëngulë në idenë se në Tiranë është diskutuar për ndonjë plan ose agjendë në dëm të Maqedonisë. Madje krerët e partive shqiptare i quajnë si nxënës që shkruajnë detyra nga Rama.

Kryeministri mburret se liderët e partive politike takohen, si nxënës shkruajnë detyra nga kryeministri i një vendi fqinj. Një kryeministër në një vend normal do ta dënonte një sjellje të tillë. Dimitar Kovaçevski e lëvdoi takimin sepse bëhet fjalë për interes të parave dhe për të shpëtuar karrierën e tij politike. Prandaj Dimitar Kovaçevski hesht për atë se çfarë duhet t’i plotësojë Ali Ahmetit nga takimi në Tiranë në këmbim të qëndrimit në pushtet dhe vazhdimit të koalicionit të krimit dhe korrupsionit”, tha Naum Stoillkoski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Në takimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama, morën pjesë të gjithë liderët e partive shqiptare, përveç kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasam. Në takim, siç bënë me dije kryetarët e pranishëm të partive politike shqiptare, u diskutua për të ardhmen europiane të dy vendeve dhe ndryshimet kushtetuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu