Pentagon ka pezulluar planin për vendosjen e më shumë se 4 mijë ushtarëve amerikanë në Evropë, një vendim që ka habitur një pjesë të zyrtarëve ushtarakë amerikanë. Sipas raportimeve të mediave amerikane, ushtarët ishte paraparë të dislokoheshin në Poloni në kuadër të një rotacioni nëntëmujor.
Mediat amerikane bëjnë të ditur se një pjesë e pajisjeve dhe personelit tashmë ishte nisur drejt Evropës, ndërsa disa përfaqësues të ushtrisë janë befasuar nga ndryshimi i papritur i planit. Sipas burimeve nga Pentagoni, Komanda Evropiane e Ushtrisë Amerikane kishte rekomanduar që pas përfundimit të misionit të mos zëvendësoheshin trupat aktuale, por nuk kishte kërkuar anulim të menjëhershëm të dislokimit.
Ushtarët amerikanë pritej të bashkëpunonin me forcat partnere në Poloni në kuadër të operacionit “Atlantic Resolve”, mision i nisur pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në Evropë. Ndërkohë, Polonia ka shprehur sërish gatishmërinë për të pranuar më shumë trupa amerikane, teksa aktualisht në territorin polak ndodhen rreth 10 mijë ushtarë amerikanë.










