Perëndimi duhet të ndalojë së luajturi lojën e rrezikshme të Erdoganit

Vitin që shkoi të gjithë ishim dëshmitarë të një skene interesante: Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kërcënoi me vendosjen e vetos kundër pranimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë.

Çuditërisht reagimi perëndimor ishte i dobët. Erdogan po luante sërish lojën që e ka luajtur shpesh gjatë gjithë sundimit të tij të pa ndërprerë prej 2 dekadash. Pushtimi rus i Ukrainës, krijoi një shans të artë për Erdogan, sepse Turqia është praktikisht i vetmi vend që ka mundësi manovrimi në të dyja kampet. Sigurisht, ai nuk mund ta ndalte dot luftën.

Por nga ana tjetër e ka shfrytëzuar situatën për të promovuar personalitetin e tij brenda dhe jashtë Turqisë. Duke pasur parasysh problemet ekonomike serioze të Turqisë, të cilat kohët e fundit u përshkallëzuan në një krizë të plotë, ky rol ndërmjetësues ishte i vetmja “kamardare shpëtimi” për një lider autoritar në moshë të thyer.

Duke qenë një makiavelist i nivelit të lartë, Erdogan synoi që ta përdorte pozicionin e tij të veçantë për të blerë legjitimitet në Perëndim, dhe për t’i bindur udhëheqësit perëndimorë se vlera e tij strategjike ishte shumë më e madhe sesa dëmi i shkaktuar nga shkeljet e tij të shumta të parimeve demokratike.

Deri më tani, kjo qasje i ka dhënë përfitimeve. Kështu, Perëndimi e shpërfilli faktin se Turqia ishte e vetmja anëtare e NATO-s që nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë. Për më tepër, një sërë liderësh perëndimorë kanë kryer vizita zyrtare në Turqi, përfshirë vetë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, dhe që të gjitha ato e forcojnë besueshmërinë ndërkombëtare të Erdoganit.

Kjo qasje është shumë zhgënjyese për mua. Pasi kam qenë një dëshmitar okular se vendi im i bukur, Turqia, që dikur ishte në rrugën e duhur për t’u bërë një demokraci e fortë dhe me një të ardhme të ndritur, nuk ishte në gjendje të tregonte mjaftueshëm qëndrueshmëri.
Dhe mjaftoi ngjitja në pushtet e një manipulatori si Erdogan, për ta bërë të gjithë vendin të largohej nga kursi demokratik.

Erdogan është shndërruar në një lider autoritar që përmbysi, hap pas hapi, gati çdo përparim të vetëm demokratizues që ndodhi në fillimet e qeverisjes së tij.

Pse? Për të qëndruar në pushtet. Ne të gjithë e pamë degradimin: pushteti korrupton, ndërsa pushteti absolut – me të cilin Erdogan është çdo ditë e më afër – të korrupton në mënyrë absolute. Por zhgënjimi im nuk është vetëm me Erdoganin, por me shumicën e shoqërisë turke.

Në sytë e Erdogan demokracia është e vjetëruar. Por pse demokracia është e vjetëruar edhe për bashkëkombasit e mi? Pse është mirë për ta, që të drejtat e tyre themelore u shkelen nga ata që ishin betuar t’i mbronin? Si mund të jenë kaq indiferentë ndaj shkeljeve masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut që godasin disidentët politikë, veçanërisht kurdët dhe anëtarët e Lëvizjes Gulen?

Në vend ndodhin çdo ditë krime kundër njerëzimit dhe turqit thjesht heshtin, ose akoma më keq, janë në favor të tyre. Sigurisht, unë jam shumë i zhgënjyer edhe me sjelljen e Perëndimit. Ai nuk ka reaguar si duhet gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk ka gjetur asnjë mjet
për të frenuar Erdogan.

Ndaj shumëkush ka të drejtë të pyesë: Mos ndoshta Perëndim nuk dëshiron që ta ndalë atë? Ai e lejon veten që të dëmtohet herë pas here nga presidenti turk. Ndër vite nuk kam parë asnjë mosmarrëveshje ku SHBA, BE apo NATO t’i kenë treguar vendin Erdogan. Madje brenda vendit, ata po e ndihmojnë Erdoganin. Mbështetësit e tij entuziazmohen nëse ai i kundërvihet SHBA-së dhe Evropës. Presidenti turk e zotëron si pak të tjerë “artin” e polarizimit. Dhe dallimi në vlerat që mbrohen nga palët është shumë i madh.

NATO mbështet promovimin e vlerave demokratike, duke u dhënë mundësi vende anëtare të konsultohen dhe të bashkëpunojnë për mbrojtjen dhe për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me sigurinë dhe parandalimin e konfliktit. Në aspektin ushtarak, aleanca është e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Në rast se dështojnë përpjekjet diplomatike, ajo ka fuqinë ushtarake për të ndërmarrë operacione të menaxhimit të krizave. Këto janë vlerat më themelore të NATO-s. E megjithatë ato po injorohen nga një autokrati Erdogan.

Në mesin e krizës më të madhe të NATO-s me Rusinë, Erdogan ka vazhduar të ruajë raporte të ngushta me Vladimir Putinin, që shkojnë kundër interesave të NATO-s dhe ndoshta edhe duke vepruar si një “Kalë Troje” brenda aleancës. Për shembull, Erdogan shkoi aq larg sa të kërkonte ekstradimin e disidentëve politikë, të cilët u detyruan të migrojnë në Evropë për shkak të mizorive të tij.

Ai nuk e duron dot faktin që disa arritën t’i shpëtonin. Mbi të gjitha ai po manipulon procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, të cilat renditen në vendin e 3-të dhe të 6-të në Indeksin e Demokracisë të revistës “The Economist”, me arsyetimin se ata strehojnë “terroristë” – një pretendim qesharak.

Pastaj edhe unë vetë jam një terrorist për Erdoganin. Kjo akuzë është qesharake dhe absurde, quajeni si të doni. Kjo ka qenë e vërteta e hidhur për miliona turq që janë përballur me afro 2 milionë hetime për “terrorizëm” nën regjimin e Erdogan.

Një vend anëtar i NATO-s që është në prag të humnerës në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe parametrave të demokracisë, po pengon dy nga vendet më demokratike në botë të marrin mbrojtjen që meritojnë. Dhe kjo përkundër faktit se si anëtare e NATO-s, Ankaraja duhet ta ketë të qartë se zgjerimi i NATO-s me Finlandën dhe Suedinë do ta forcojë aleancën.

Me zgjerimin e ri, Deti Baltik do të shndërrohet thuajse në një “liqen” të NATO-s. Me protagonizmin e kohëve të fundit, Erdogan dëshiron të përforcojë përshtypjen se ai është një lojtar global i aftë për të manipuluar Perëndimin. Ne duhet të kuptojmë se ai po e bën këtë pasi e ndihmon brenda vendit.

Erdogan po përballet me një moment të vështirë në prag të zgjedhjeve të planifikuara për në 18 qershor 2023. Rënia ekonomike, zhvlerësimi i lirës turke dhe inflacioni i lartë, i cili zyrtarisht është 83.45 për qind, por në fakt vlerësohet të jetë rreth 186.27 për qind, i kanë ndryshuar ndjeshëm pikëpamjet mbi Turqinë.

Pyetja ime është:

A do ta demaskojë Perëndimi lojën e Erdogan? Apo do të vazhdojë që ta tolerojnë këtë “Kalë Troje” në NATO? Dhe duke e bërë këtë, ta ndihmojë që të qëndrojë në pushtet? Qytetarët në Turqi meritojnë shumë më mirë sesa kjo situatë. Perëndimi nuk duhet ta lejojë Erdoganin që t’i përdorë ata për lojërat e tij politike.

Është koha që populli i Turqisë, i cili po fillon të ngrihet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, të marrë mbështetjen që meriton nga Perëndimi. Sigurisht, unë jam i vetëdijshëm se kjo nuk do t’i japë fund mbretërimit të Erdoganit apo të sjellë një rilindje të demokracisë. Por ky nuk duhet të jetë një justifikim për mosveprim. Pyetja është: A do të qëndrojë apo jo Perëndimi në krah të popullit turk dhe të promovojë demokracinë në Turqi?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu