Përkujtime nga lufta: Ja sa lehtësisht e manipulojnë serbët të shkuarën

Gjatë përkujtimit të një operacioni të quajtur “Stuhia”, në Prijedor të Bonjes, ku serbët pretendojnë se janë vrarë nga kroatët, është abuzuar rëndë nga kreu i Republika Srpska, Milorad Dodik, me foton e një nëne më foshnje, duke e paraqitur atë si viktimë serbe. Në fakt është fjala për një grua boshnjake, dëbuar nga Zhepa në vitin e tretë të luftës së përgjakshme që shënoi zhbërjen e Jugosllavisë.

“‘Stuhia’ ishte një ndërmarrje e përbashkët kriminale e SHBA-së dhe Kroacisë, të cilat mezi prisnin të pastronin etnikisht atë zonë nga serbët.

Kjo nuk mund të falet. Amerika mund të jetë e madhe, por është e poshtëruar dhe e vogël, sepse mban me këmbëngulje një qëndrim negativ ndaj një kombi të vogël, si në Republika Srpska ashtu edhe ndaj Serbisë. Amerika ka shkatërruar të drejtat e Republikës Srpska dhe Marrëveshjen e Dejtonit që nga dita e parë dhe nuk është ndalur kurrë. Sot, kur përkujtojmë Ditën e Përkujtimit të vuajtjeve dhe persekutimit të serbëve në ‘Stuhinë’, duhet theksuar se Prijedori është qytet i vuajtjeve dhe qytet i heronjve. Nuk kemi ardhur këtu për të nënçmuar viktimat, as presidenti i Serbisë dhe as unë. Ne kemi të drejtë të përkujtojmë vuajtjet tona dhe kurrë nuk do të lejoj askënd të nënçmojë popullin serb dhe Republikën Srpska. Populli serb krijoi dy shtete – Republikën Srpska dhe Serbinë, dhe ne do të luftojmë njësoj për të”, ka shkruar Dodik në profilin e tij, ku është publikuar një foto e refugjatëve nga Zhepa.

Foshnja nga fotoja e bërë në Zhepë në vitin 1995. Dhe menjëherë kanë ardhur reagimet. Boshnjakia Nermina Mujkiç ka konfirmuar se në foto janë ajo dhe nëna e saj Sabina. Fotoja tregon një grua me një foshnjë në krahë dhe autoritetet e RS e paraqitën atë si një foto të refugjatëve serbë të “Stuhisë” kroate.

“Konfirmoj absolutisht se në foto tregojmë mua dhe nënën time në vitin 1995 gjatë evakuimit nga Zhepa në Sarajevë. Unë isha vetëm tre muajshe në atë foto. Pranë meje është vëllai im, ndërsa vëllai tjetër është në kamion sepse është plagosur dhe është invalid. ‘Stuhia’ nuk ishte aty për ne, stuhinë e së keqes na e bënë ata që folën për të, por jo në Prijedor por në Zhepë dhe Srebrenicë”, tha Nermina Mujkiç.

Krahas fotos, reagime negative shkaktoi edhe zgjedhja e vendit për të shënuar përvjetorin e “Stuhisë”. Boshnjakët në Prijedor e kanë gjykuar një akt të tillë si një provokim të pastër, sepse qyteti i Prijedorit, sipas tyre, nuk ka të bëjë fare me “Stuhinë”, por ka shumë krime të tjera të kryera nga pjesëtarët e ushtrisë së RS dhe njësitë paraushtarake kundër boshnjakëve dhe popullsisë kroate e atij qyteti.

Raportohet se gjatë agresionit kundër Bosnjes në Prijedor, ushtria serbe vrau 3,176 civilë, boshnjakë dhe kroatë, mes të cilëve ishin më shumë se 200 gra dhe 102 fëmijë. Më shumë se 30,000 banorë u dëbuan nga qyteti. Aty ishin dhe disa nga kampet më të tmerrshme si dhe varri më i madh masiv në tokën e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, më shumë se 40 kriminelë lufte të dënuar ligjërisht erdhën nga ai qytet.

Autoritetet lokale(serbe) në Prijedor, përveç të gjitha provokimeve të lartpërmendura, i kërkuan bashkësisë islame të atyshme që gjatë festës së stuhisë të mos dëgjohet ezani nga altoparlantët e xhamive, konfirmoi imami Omer Rexhiç.

Kryeimamit, si dhe imamëve të tjerë, iu kërkua që të mos thërrasin ezanin prej orës 17 deri në 22:00, tha ai.

Kur imamët kërkuan që t’u jepet një shpjegim zyrtar dhe me shkrim për arsyen se pse nuk duhet të thërrasin ezanin gjatë ikindisë dhe akshamit, siç pretendojnë ata, askush nuk iu përgjigj atyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu