Përse Lista Serbe u kthye në Kuvendin e Kosovës?

Pas dorëheqjes demonstrative të dhjetë deputetëve të Listës Serbe më 7 nëntor, asaj iu deshën 10 ditë për t’u kthyer në Kuvendin e Kosovës me deputetë nga lista rezervë, qoftë edhe vetëm formalisht. Kjo parti e quajti kthimin një “vendim strategjik që ka penguar drejtpërdrejt realizimin e një plani” të Albin Kurtit dhe të Rada Trajkoviq, një ish-deputete nga pakica serbe në Kosovë e cila drejton partinë Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (GI SPO). Ky komplot i pretenduar synonte “ndryshime kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, shpronësimin e Kishës Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit institucional etj.”

Favorizim kushtetues

Pretendimi i Listës Serbe nuk bazohet në asnjë fakt apo rrethanë. Por, teorikisht ka meritë juridike. Kjo sepse Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet pa votat e serbëve në parlament. Në rastin e një refuzimi të deputetëve rezervë të Listës Serbe për të zëvendësuar ata që u larguan, e drejta për t’u betuar si deputetë të pakicës serbe do t’i kalonte subjekteve në radhë me më shumë vota, që janë kandidatë nga forca politike GI SPO. Këta janë të njëjtët që Lista Serbe i akuzon si komplotistë që duan t’u heqin të drejtat serbëve të Kosovës. Por ky ndryshim kushtetues, ndonëse juridikisht i mundur, do të ishte i paimagjinueshëm dhe praktikisht i pamundur.

Ulëse të rezervuara

Serbët kanë një sërë privilegjesh të tjera si pakicë etnike. Kushtetuta e Kosovës garanton në kuvendin prej 120 deputetësh, 10 vende të rezervuara për serbët dhe 10 për pakicat e tjera, pavarësisht numrit të votave të subjekteve zgjedhore, apo ndryshimit të përbërjes së popullsisë. Një pjesë domethënëse e ekspertëve kushtetues interpretojnë se partive fituese nga komuniteti serb, gjithashtu kushtetuta u ka caktuar pjesëmarrje në qeveri me të paktën një post. Në fakt, serbët kanë qenë kurdoherë pjesë e qeverive të Kosovës, ndonëse me ministri të dorës së dytë.

Manovër e parashikueshme

Çfarë ka ndodhur është që 10 deputetët e Listës Serbe të dorëhequr më 7 nëntor, u zëvendësuan 10 ditë pas këtij vendimi me 10 deputetë të tjerë nga pakica serbe, ku 9 prej tyre ishin po nga e njëjta parti, ndërsa i 10-i, Cvetko Veljkoviç nga GI SPO. Kjo lëvizje dhe ky rezultat ishin parashikuar thuajse njëzëri nga mediat dhe analistët në Kosovë. Gjithashtu, u parashikua me saktësi edhe që 9 deputetët rezervë nga Lista Serbe do ta merrnin detyrën thjesht formalisht, diçka që u materializua kur deputetët e rinj u larguan nga salla e kuvendit menjëherë pas betimit.

Deputeti Nr. 10

Një prej deputetëve të Listës Serbe nga stoli rezervë, Ivan Todosjeviç, është dënuar me një vit burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor të vitit 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, për shkak se ka thënë që Masakra e Reçakut në vitin 1999 ishte “fabrikim i terroristëve shqiptarë” për të justifikuar bombardimet e NATO-s. I akuzuari ka qenë Ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal kur bëri komentet, çka solli edhe shkarkimin e tij nga kryeministri i kohës Ramush Haradinaj. Kjo është arsyeja se përse Listës i nungonte një deputet. Pritet që Todosjeviç ta apelojë vendimin.

Lista e shkarkimeve

Kjo parti ka incidente të përsëritura me deklaratat e ministrave të saj në qeverinë e Kosovës. Aleksandër Jabllanoviç, kryetar i Listës Serbe, dhe njëherësh Ministër për Kthim dhe Komunitete, u shkarkua më në vitin 2015, nga Kryeministri Isa Mustafa, pasi i quajti “egërsira” protestuesit shqiptarë që penguan dhe qëlluan me gurë një autobus me pelegrinë serbë në Gjakovë. Çështja u bë tejet e ndjeshme duke qenë se protesta ishte bashkorganizuar nga “Thirrjet e Nënave” të të pagjeturve. Opozita nisi një spirale protestash pas komentit të ministrit. Jabllanoviç kërkoi falje, por nuk pranoi të dorëhiqej. Më vonë u shkarkua edhe si kryetar i Listës Serbe.

Qeveritë jetëshkurtra kosovare

Lista Serbe po rezulton forca politike më e qëndrueshme në Kosovë. Ajo u themelua në vitin 2014 dhe në zgjedhjet e të njëjtit vit fitoi 9 nga 10 mandate në Kuvendin e Kosovës. Në 2017, fitoi gjithashtu 9 mandate, ndërsa në dy zgjedhjet e fundit, i mori të 10 mandatet e rezervuara për serbët. Arsyeja se përse në kaq pak vite rezultojnë kaq shumë zgjedhje ka të bëjë me faktin se pesë zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë kanë qenë të parakohshme. Që nga viti 2001, kur Kosova zhvilloi zgjedhjet e para të përgjithshme si shtet i pavarur, janë mbajtur gjithsej 8 zgjedhje të tilla. Jetëgjatësia mesatare e një qeverie kosovare është tre vjet.

Lista e Beogradit

Lista Serbe kontrollohet nga Beogradi. Subjekte politike nga parti të tjera janë ankuar vazhdimisht për fushata frikësimi të votuesve apo kërcënimi të kandidatëve të tjerë për deputetë. Zyrtarisht, kjo parti ka spikatur në raste të shumta me retorikë jobashkëpunuese, dhe ka kërcënuar vazhdimisht për dalje nga parlamenti. Misioni i vëzhgimit të BE-së për zgjedhjet e vitit 2021, vlerësoi se Lista Serbe ka monopolizuar jetën e serbëve në Kosovë, madje duke kërcënuar votuesit. Kritika të tilla janë shumë të rralla. Qasja tepër e kujdesshme e ndërkombëtarëve ndaj pakicave në Kosovë ilustrohet edhe nga eufemizmi “komunitete joshumicë”.

Kush është sfidantja e Listës Serbe?

Rada Trajkoviç, kryetarja e GI SPO, e akuzuar nga Lista Serbe se do të tradhtonte të drejtat e serbëve në Kosovë, shpalos një karrierë dinamike politike. Në vitet ’90 para Luftës në Kosovë, Trajkoviç u bë anëtare e Partisë Radikale Serbe, drejtuar nga Vojisllav Sheshel, tashmë kriminel lufte. Bashkëshorti i saj ishte sakaq anëtar i kësaj partie ultranacionaliste. Trajkoviç ishte Ministre e Shërbimeve Familjare kur nisi lufta në Kosovë dhe e dha dorëheqjen tre ditë pasi Serbia u tërhoq pas bombardimeve të NATO-s. Ajo rezulton edhe kryetare e Lëvizjes Europiane të Serbëve në Kosovë.

Cila është arsyeja e dorëheqjes masive?

Këmbëngulja e qeverisë së Kosovës për të vijuar planin e ndërrimit të targave në pronësi të serbëve të Kosovës me ato zyrtare është shkaku, por jo vetë arsyeja e dorëheqjes masive nga institucionet e Kosovës. Besohet se janë rreth 10,000 automjete me targa ilegale serbe në vend, dhe ndryshimi i tyre përfaqëson një simbolikë si për Prishtinën ashtu dhe për Beogradin. Praktikisht qeveria e Kosovës kërkon të zgjerojë dhe forcojë shtetformimin në të gjithë territorin e saj. Ndërsa qeveria e Serbisë nuk mund ta lejojë këtë. Në thelb nuk bëhet fjalë për targa.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu