Peticion për përjashtimin e Izraelit nga Eurovizioni, ç’vendosën organizatorët?

Organizatorët e Eurovision Song Contest kanë kundërshtuar thirrjet për të përjashtuar Izraelin nga eventi muzikor për shkak të luftës në Gaza.

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dëshiron që Eurovision Song Contest “të mbetet një ngjarje jopolitike që bashkon audiencën në mbarë botën përmes muzikës”, thanë organizatorët të enjten në selinë e EBU në Gjenevë.

Finalja e Eurovision Song Contest është planifikuar të zhvillohet më 11 maj në qytetin e Malmö në jug të Suedisë. Komitetet shqyrtuan listën e pjesëmarrësve dhe konfirmuan se Izraeli i plotëson të gjitha kërkesat për pjesëmarrje. Televizioni publik izraelit ka 50 vjet që merr pjesë në këtë event.

Në vende të ndryshme e sidomos në rrjetet sociale u ngritën zërat për të përjashtuar Izraelin nga Eurovizioni i këtij viti. Arsyeja janë veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës që kanë ndodhur që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit e deri më sot.

Më shumë se 1400 profesionistë finlandezë të industrisë së muzikës kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar që Izraeli të ndalohet nga Eurovizioni për shkak të krimeve të luftës të kryera në Gaza, shkruan BBC.

Nëse Izraeli nuk përjashtohet nga eventi, ata duan që transmetuesi publik Yle të tërheqë Finlandën prej aty. Yle thotë se ndjek qëndrimin e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), organizator i festivalit.

Muajin e kaluar, muzikantë islandezë i bënë kërkesa të ngjashme transmetuesit Rúv.

Lukas Korpelainen, një nga autorët e peticionit, i tha gazetës Hufvudstadsbladet se nuk ishte e pranueshme që Izraeli “të merrte pjesë në Eurovision Song Contest për të lustruar imazhin e tij”. Nënshkruesit përfshijnë artistët finlandezë Olavi Uusivirta, Paleface dhe Axel Ehnström, të cilët përfaqësonin vendin në edicionin e vitit 2011. Ata e akuzojnë Yle për standarde të dyfishta, duke thënë se transmetuesi ishte ndër të parët që bëri thirrje që Rusia të ndalohej nga edicioni i 2022-ës dhe se tani presin të njëjtën mbrojtje aktive të vlerave nga Yle.

Një ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, përfaqësuesi i Yle, Ville Vilén tha se sulmi i Moskës “shkon kundër të gjitha vlerave që Yle dhe transmetuesit e tjerë evropianë përfaqësojnë”.

Vilén tani pretendon se situata në Izrael dhe Gaza “nuk është saktësisht e njëjtë”. “Sado e frikshme që është, nuk është një luftë agresioni ndërshtetëror si midis Rusisë dhe Ukrainës,” i tha ai tabloidit finlandez Ilta-Sanomat muajin e kaluar. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu