Petkoviçit i është ndaluar hyrja në Kosovë dhe pjesëmarrja në shugurimin e patriarkut

Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, iu ndalua hyrja në Kosovë dhe pjesëmarrja në shugurimin e patriarkut Porfirije në Patriarkanën e Pejës, njoftoi të mërkurën kjo zyrë. Autoritetet në Kosovë, deri më tani nuk dhanë ndonjë njoftim.

Bëhet fjalë për shkelje brutale të marrëveshjes, si të asaj për lirinë e lëvizjes, ashtu edhe të marrëveshjes për vizitat zyrtare, e cila parasheh procedura të thjeshtuara për vizitën në Kosovë e Metohi të kryenegociatorit në dialogun me Prishtinën”, thuhet në njoftim.

Aty, po ashtu, theksohet se kjo është hera e dhjetë që Petkoviçit i ndalohet vizita. Sipas njoftimit, vizita është paralajmëruar siç duhet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura.

Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e shugurimit të patriarkut u tha se ishte planifikuar edhe një vizitë në manifestimin “Ditët e Moravisë” në fshatin Kufcë e Epërme të Komunës së Gjilanit.

Në njoftim thuhet se për “shkeljen brutale të marrëveshjes, por edhe mohimin e lirive fetare” do të informohet Brukseli zyrtar, por edhe faktorët tjerë ndërkombëtarë.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, do të shugurohet në Manastirin e Patrikanës së Pejës në Kosovë më 14 tetor. Ky akt kryhet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Ortodokse Serbe.

Patriarkana e Pejës është tradicionalisht vendi ku marrin detyrën patriarkët serbë. Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se patriarku, atë ditë, do të vizitojë Kosovën dhe Patriarkanën e Pejës, ku do të udhëheqë liturgjinë e shenjtë.

Patriarku Porfirije deklaroi në shkurt të vitit 2021, menjëherë pas ngjitjes në fron, se prioritet i parë për të dhe për Kishën do të jenë “serbët e vuajtur në Kosovë, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët kudo në botë”– tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu