“Pika e ftohtë” misterioze në oqean – studimi thotë se është shenjë e keqe

Në Oqeanin Atlantik, në jug të Grenlandës dhe Islandës, një zonë e madhe ujore po bën diçka shumë të pazakontë. Ndërsa pjesa tjetër e oqeanit po ngrohet, kjo zonë është duke u ftohur. Një studim i ri thotë se ka gjetur përgjigjen për këtë mister – dhe kjo është një shenjë shqetësuese se bota po shkon drejt një prej pikave më alarmante të kthesës klimatike.

Kjo zonë e oqeanit – e quajtur “pika e ftohtë” – është ftohur me pothuajse 1 gradë Celsius që nga viti 1900, shkroi CNN.

Shkencëtarët kanë debatuar prej kohësh nëse kjo anomali shkaktohet nga humbja e nxehtësisë nga sipërfaqja e oqeanit për shkak të ndryshimeve në erëra dhe re, apo nëse është një sinjal i dobësimit të një sistemi kritik të rrymave oqeanike që transporton nxehtësinë nga tropikët drejt veriut, i njohur si AMOC. Hulumtimi i ri arrin në përfundimin se shkaku është ky i fundit, dhe ky zbulim tregon drejt një të ardhmeje shqetësuese.

Ky sistem i rrymave oqeanike që transporton nxehtësinë – apo AMOC – funksionon si një rrip gjigant transportues në oqean, duke tërhequr ujë të ngrohtë nga tropikët drejt Hemisferës Veriore, ku ai ftohet, fundoset dhe rrjedh përsëri drejt jugut.

Shumë studime sugjerojnë se ky sistem po dobësohet, pasi ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po shkrin akullin dhe po sjell sasi të mëdha uji të ëmbël në oqean, duke prishur ekuilibrin delikat të nxehtësisë dhe kripësisë që mban në funksion AMOC-in.

Disa shkencëtarë paralajmërojnë se AMOC po i afrohet një pike kritike kthimi, gjë që do të nënkuptonte se një kolaps i ardhshëm do të bëhej i pashmangshëm.

Një ndalim i plotë i AMOC-it do të ishte një katastrofë globale, duke shkaktuar rritje të përshpejtuar të nivelit të detit përgjatë bregut lindor të SHBA-së, dimra shumë të ashpër dhe të ftohtë në Evropë, dhe ndryshime në sistemet e shirave të Afrikës, duke sjellë thatësira të gjata dhe të rënda.

Për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh në këtë pjesë të Atlantikut, autorët e studimit kombinuan të dhënat reale mbi nxehtësinë e oqeanit, të mbledhura nga instrumente dhe satelitë, me modele klimatike kompjuterike.

Ata zbuluan se ftohja në “pikën e ftohtë” nuk po ndodhte vetëm në sipërfaqe, por edhe thellë në oqean, ku kushtet atmosferike si erërat dhe retë kanë ndikim shumë më të vogël.

Të gjithë treguesit drejtojnë gishtin nga ndikimi i AMOC-it, sipas studimit.

“Ai po ndryshon transportin e nxehtësisë në oqean”, tha Stefan Rahmstorf, një nga autorët e studimit.

“Kjo po e shkakton ftohjen e pikës së ftohtë'”.

Ai shtoi se ekzistojnë edhe shumë prova të tjera, të pavarura nga fenomeni i “pikës së ftohtë”, që tregojnë se AMOC po dobësohet, dhe disa studime sugjerojnë se ai është tani në gjendjen më të dobët të rreth 1,000 viteve të fundit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu