Plani sekret për Kosovën e Serbinë, Merkel dëshiron ta parandalojë atë në Berlin

Takimi i 29 prillit në Berlin me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron, ka kaluar nën llupën e të gjithë mediave më prestigjioze evropiane e botërore.

Përveç ‘Der Standard’ dhe ‘The Economist’, rreth këtij takimi ka shkruar edhe e përditshmja gjermane ‘Tagesspiegel’.

Sipas gazetës gjermane, Merkel me 29 prill në Berlin dëshirojë që të parandalojë idenë e Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

‘Tagesspiel’ ndër të tjera thotë se mbështetës e kësaj ideje për shkëmbim të territoreve është edhe ndërmjetësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd, Federica Mogherini, të cilën Merkel nuk e ka njoftuar fare që po e organizon një takim të tillë në Berlin, por vetëm e ka ftuar si spektatore.

Ndër të tjera në këtë tekst, shtrohet pyetja, se ‘A mund të ndodh një shkëmbim i territoreve dhe ndarje e shteteve në vija etnike kur dihet se po jetohet në shekullin 21? . menjëherë pas kësaj pyetje thuhet se Thaçi e Vuçiq po e shtyjnë përpara një ide të tillë, ndërsa Angela Merkel është kundërshtarja më e fortë.

Teksa flitet për kundërshtimin e Merkelit me arsyetimin se një korrigjim i mundshëm i kufijve mund të nxiste edhe lëvizje të tjera të kufijve në Ballkan, gazeta gjermane përmend deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, përfshirë shqiptarët nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Prandaj thuhet se është ftuar edhe Edi Rama në këtë takim në Berlin, bashkë me Vuçiqin dhe Thaçin.

Gazeta gjithashtu shkruan se do të ketë edhe disa takime jo-formale ndërmjet kancelares Merkel dhe presidentit Makron, me përfaqësuesit e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.

Ndërkohë mysafir në këtë takim në Berlin do të jetë edhe kryeministri i Kroacisë, kundërshtari i idesë së korrigjimi të kufijve, Andrej Plenkoviç, transmeton Express.

Me organizimin e kësaj konference Merkel dëshiron që të tregojë fuqinë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, pasi ishte përfolur më herët se Emanuel Macron, Donald Trump dhe Vladimir Putin, planifikonin fshehtas të merrnin në dorë rajonin e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtuar as Turqinë e Kinën.

Kritika të ashpra në drejtim të Mogherinit si përkrahëse e idesë për korrigjim të kufijve, ka dërguar edhe deputeti i Bundestagut gjerman, Johann Wadephul, i partisë së kancelares Merkel.

Ai thotë se nuk ka asnjë garanci që korrigjimi i kufijve nuk do të prodhojë efekt zingjir në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk ka absolutisht asnjë garanci se ndryshimet kufitare, apo këmbimet territoriale do të kufizohen vetëm në Serbi e Kosovë”, ka thënë ai për Tagesspiel.

Ai thotë se një shkëmbim territoresh ndoshta do të shkaktojë luftë dhe paqëndrueshmëri të reja në Ballkanin perëndimor, duke përfshirë këtu edhe konfliktet e armatosura.

Edhe për deputetin tjetër të Bundestagut gjerman, Manuel Sarrazin, kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm.

“Një shkëmbim territorial midis Serbisë dhe Kosovës është tabu dhe duhet të mbetet kështu “, është shprehur ai.

Ndërkohë ajo që po diskutohet më së shumti do të jetë se me çfarë qëndrimi për korrigjimin e kufijve do të udhëtojë për në Berlin, presidenti i Francës, Emanuel Macron, pasi që thuhet që Franca ka një lloj simpatie për idenë e prekjes së kufijve.

Këtu gazeta gjermane ka përmendur deklarimet e ish-ministrit të jashtëm francez, Bernard Kushner, i cili gjatë shtatorit të kaluar tha se korrigjimi i kufijve do të ishte një ‘zgjidhje e mirë’.

Sipas gazetës ky qëndrim i Kushner për korrigjimin e kufijve, vjen nga miqësia që ai ka me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu