Plas një tjetër skandal në Vatikan

Pas skandaleve financiare në Bankën e Vatikanit e rastet e pedofilisë tek priftërinjtë , një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur sot Selinë e Shenjtë.

Më një komunikim zyrtar, zyra e shtypit e Vatikanit ka informuar se me kërkesë të Papa Françeskut ka nisur një hetim ekonomiko- administrativ ndaj korit kishtar të Capella Sistina në pallatin Apostolik të Vatikanit i cili shoqëron të gjitha meshat e mbajtura nga Ati i Shenjtë.

Nën hetim janë vënë drejtori administrativ dhe përgjegjësi i këtij kori kishtar, me akuzat e riciklimit të paligjshëm të parave si dhe mashtrim në dëm të shtetit të Vatikanit.

Sipas akuzave të dy personat e vënë nën hetim kanë transferuar në një llogari bankare të hapur në territorin italian, fonde e shuma parash të përfituara nga koncertet e korit e të përdoruar për shpenzime personale.

Hetimet kanë zbuluar një përdorim të paligjshëm të arkës së korit, fakt që ka detyruar Selinë e Shenjtë të ndërmarrë një aksion penal ndaj përgjegjësve si dhe të ndërpres turneun artistik që ky kor po kryente në SHBA.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu