Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në fshatin Babunjë në Divjakës, ku një i ri qëlloi me breshëri plumbash mbi një vajzë 14-vjeçe.
Ngjarja e cila ka tronditur gjithë zonën, ndodhi pak pas mesditës së sotme, kur adoleshentja u kap në befasi nga autori i cili i drejtoi automatikun.
22-vjeçari Bajram Krasniqi ka ndërmarrë aktin e rëndë pasi është ndier i refuzuar nga e mitura, identiteti i së cilës nuk bëhet ende i ditur.
Sipas Balkanweb, i riu e ngacmonte prej kohësh bashkëfshataren e tij dhe po priste një përgjigje nga ajo.
Por ditën e sotme ai ka mësuar se prindërit kishin vendosur ta fejonin me dikë tjetër. Në inat e sipër, i riu ka siguruar armën dhe ka vendosur të marrë hak me vajzën.
Për fat të mirë, e mitura nuk ka pësuar dëmtime serioze, ndërsa policia në vendngjarje ka gjetur tre gëzhoja automatiku model 56.
Pas kësaj ngjarje 22-vjeçari është arrestuar dhe ndaj tij rëndon akuza e tentativës për vrasje si dhe armëmbajtjes pa leje.










