Po ndërtohet parking për deputetët pranë Kuvendit, Gashi ndjek nga afër ecurinë e punimeve

Po ndërtohet një parking për automjetet e deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë në hapësirën e zonës së sigurisë pranë Kuvendit, ku fillimisht ishte paraparë ndërtimi i një garazhi shumëkatësh. Në inspektimin e punimeve ishte edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

„Nga afër e ndoqa ecurinë e punimeve ndërtimore për rregullimin e hapësirës përreth Kuvendit. Kjo hapësirë po merr një pamje më të rregulluar dhe më funksionale, duke krijuar kushte më të mira për parkim dhe për nevojat e përditshme të Kuvendit. Vazhdojmë me punë konkrete dhe me kujdes ndaj çdo hapësire që kontribuon në funksionimin më efikas të Kuvendit“, ka deklaruar Gashi.

Për rregullimin e hapësirës dhe ndërtimin e parkingut do të shpenzohen rreth 1.6 milionë euro, ndërsa në tender është përzgjedhur kompania „Stenton Gradba“.

Në këtë hapësirë fillimisht ishte paraparë ndërtimi i një garazhi shumëkatësh me lartësi prej 9 metrash, ndërsa 15 për qind e objektit mund të shfrytëzohej si hapësirë afariste, dyqane ose objekte hotelierike.

Më pas, Kuvendi miratoi Ligjin për shpalljen e hapësirës përreth Kuvendit si zonë sigurie, me të cilin u ndalua ndërtimi në këtë hapësirë. Në atë kohë u njoftua se kompania që kishte blerë tokën do të kompensohej për dëmin e shkaktuar./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu