Autoritetet malazeze të sigurisë kanë ndaluar hyrjen në vend të 90 personave që mbërritën me një fluturim “charter” nga Beogradi në Aeroportin e Tivatit, duke i cilësuar si rrezik potencial për sigurinë kombëtare në prag të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportimeve të mediave malazeze, grupi mbërriti paraditen e së mërkurës me një avion të kompanisë Air Serbia. Gjatë procedurave të kontrollit kufitar, personat në fjalë nuk kanë dhënë shpjegime të qarta lidhur me qëllimin e vizitës së tyre në Mal të Zi, çka ka ngritur dyshime te autoritetet përgjegjëse.
Burime të sigurisë të cituara nga mediat vendase bëjnë të ditur se një pjesë e konsiderueshme e personave të ndaluar figurojnë në evidencat policore si individë me interes për sigurinë ose me precedentë penalë.
Sipas të njëjtave burime, ekzistojnë dyshime se grupi kishte për qëllim të angazhohej në aktivitete të ashtuquajtura të “sigurisë joformale” gjatë vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të marrë pjesë në samitin rajonal që do të zhvillohet të premten në Tivat.
Për shkak të vlerësimeve të sigurisë dhe në kuadër të masave të shtuara për garantimin e mbarëvajtjes së samitit, Policia e Malit të Zi vendosi të mos lejojë hyrjen e grupit në territorin e vendit dhe të organizojë kthimin e tyre në Beograd me fluturimin e parë të disponueshëm.
Avioni i tipit Embraer E195, i cili transportoi grupin nga kryeqyteti serb, qëndroi për disa orë në pistën e Aeroportit të Tivatit ndërsa autoritetet zhvillonin procedurat e verifikimit dhe vlerësimit të sigurisë.
Në një reagim për mediat, Drejtoria e Policisë së Malit të Zi konfirmoi se veprimet janë ndërmarrë në kuadër të planit të posaçëm të sigurisë për Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike që pritet të zhvillohet këtë javë në vend.








