Një kolonë e policisë ushtarake ruse ka arritur në qytetin Ayn al-Arab (Kobani) të Sirisë, që ndodhet në afërsi të kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në pajtueshmëri me marrëveshjen e arritur mes presidentëve të Rusisë dhe Turqisë më 22 tetor në Soçi, sot, rreth orës 12, një kolonë e policisë ushtarake ruse ka kaluar lumin Eufrat dhe ka lëvizur në drejtim të kufirit mes Sirisë dhe Turqisë”, thuhet në kumtesën e ministrisë.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në mënyrë që të mundësohet tërheqja e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurt.
Dje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim “historik” në qytetin bregdetar rus Soçi vetëm disa orë para përfundimit të pauzimit të operacionit turk.
Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë. Marrëveshja po ashtu parashikon patrullimet e përbashkëta të forcave të sigurisë nga Turqia dhe Rusia në rajon.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.










