Presidenca portugeze dhe Komisioni Europian jo në një zë për Shqipërinë

Në debatin e zhvilluar para votimit të draft-rezolutës për Shqipërinë në seancë plenare të Parlamentit Europian, raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos është shprehur: “ Dua t’u jap shpresë shqiptarëve për vazhdimin e progresin në vend, në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më e mirë dhe të avancohet me drejtësinë sociale në vend. Ne jemi të angazhuar për të dhënë mbështetjen tonë arritjen e këtij qëllimi”.

Santos është shprehur, se Shqipëria ka shënuar sukses të dukshëm në forcimin e shtetit ligjor, në reformën e drejtësisë, në reformën zgjedhore, punësimin, dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raportuesja Isabel Santos i ka cilësuar zgjedhjet e 25 prillit si një shtyllë kryesore për forcimin e demokracisë për të kapërcyer polarizimin në vend. Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik ka përçuar mesazhin e raportuesit në hije për Shqipërinë, David Lega:

Ne mbështesim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë kur të përmbushen të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli i ministrave. Por amendamentet për luftën kundër korrupsionit dhe median janë themelore.”

Ndërkohë, në seancë plenare janë shpalosur dy qëndrime të ndryshme nga presidenca portugeze e Bashkimit Europian dhe Komisioni Europian. Ndërkohë, që Komisioni shprehet, se ka shpresë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor, presidenca portugeze nuk e thotë një gjë të tillë. Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi : “Ne konsiderojmë, se Shqipëria ka plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe shpresojmë që konferencat të mbahen në qershor.

Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë kanë filluar të funksionojnë. Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave ka vazhduar. Organet e specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ngritur. Ne duhet të theksojmë vazhdimin e reformave për Vetting dhe emërimin e magjistratëve, si dhe forcimin e gjurmës së provave për reformat e shtetit ligjor. Para zgjedhjeve të 25 prillit, duhet një dialog konstruktiv midis partive”.

Ndërkohë, sekretarja e shtetit për çështjet europiane, Ana Paula Zacarias nuk ka përmendur qershorin. Ajo ka vlerësuar gatishmërinë e dy vendeve për të avancuar në integrimin europian .

Presidenca është e vendosur që të vazhdojë punën dhe të hapë negociatat e anëtarësimit me të dyja vendet sa më shpejt të jetë e mundur” është shprehur Ana Paula Zacarias.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu