Presidenti kinez bën thirrje për më shumë “besim politik” mes Kinës dhe Turqisë

Presidenti kinez, Xi Jinping, është takuar të premten me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, duke bërë thirrje për “besim të ndërsjellë politik” në mes të të dyja palëve.

Ai i ka bërë këto deklarata në një samit rajonal të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, që po zhvillohet në Uzbekistan.

Turqia është partnere dialoguese në këtë organizatë, e cila është themeluar më 2001 dhe përbëhet nga Kina, India, Pakistani, Rusia dhe disa shtete tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Të dyja palët duhet të konsolidojnë besimin e ndërsjellë politik, të respektojnë interesat themelore të njëri-tjetrit dhe të konsolidojnë themelet e bashkëpunimit strategjik Kinë-Turqi”, ka thënë Xi, sipas transmetuesit shtetëror kinez.

Xi ka bërë thirrje edhe për më shumë bashkëpunim në iniciativën e tij globale, Brezi dhe Rrruga, dhe ka thënë se dy shtetet duhet të kontribuojnë në sektorët e furnizimeve me energji dhe ushqim.

Lidhjet e Pekinit me Ankaranë kanë mbetur në hije, për shkak të dyshimeve ndërkombëtare se Kina abuzon me të drejtat e ujgurëve – minoritetet mysliman që gjendet në rajonin Ksinjiang.

Xi është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin iranian, Ebrahim Raisi, në kuadër të samitit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu