Presidenti Pendarovski: Mbështes “Ballkanin e Hapur”, pres projekte konkrete

Presidenti Stevo Pendarovski sot në prag të samitit në Ohër tha se e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur” sepse siç theksoi ai nuk është jashtë lirive evropiane në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes përtej kufijve.

Ai ka deklaruar se nisma duhet të jetë komplementare, e jo paralele me procesin e Berlinit, transmetojnë mediat serbe.

Pendarovski pret që në samitin e ardhshëm të shfaqen iniciativa të reja për bashkëpunim, projekte konkrete, si dhe konfirmim se do të vazhdojnë me ato të mëparshmet, të cilat, siç tha, kanë dhënë rezultate të favorshme për vendet pjesëmarrëse në atë proces rajonal.

Nesër në Ohër fillon samiti dyditor i iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, ku do të marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, si dhe përfaqësues të Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Siç është paralajmëruar, në samit do të nënshkruhen disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë, turizmit, kulturës dhe shërbimeve tatimore.

I ftuar i samitit do të jetë kryeministri malazes Dritan Abazoviq, i cili mbështeti nismën e Ballkanit të Hapur dhe do të marrë pjesë, siç paralajmëroi, në rolin e vëzhguesit.

I ftuar në samit do të jetë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu