Komisioni Hetimor parlamentar për Gylenistët, do të intervistojë sot kryeshefen e Inspektoratit Policor, Miradije Kelmendin, lidhur me deportimin e gjashtë gylenistëve. Kryetari i këtij Komisioni ka thënë për Express-in se do të intervistohen edhe 20 persona të tjerë që janë në krye të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe presidentin Hashim Thaçi
Mbledhja e Komisionit Hetimor parlamentar për Gylenistët fillon sot në orën 13:00 dhe do të nisë me intervistimin e kryeshefes së Inspektoratit Policor, Miradije Kelmendi.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Express, kryetari i Komisionit, Xhelal Sveçla.
“Intervistimet fillestare përfshijnë 20 persona, përfshirë këtu edhe presidentin Hashim Thaçi për rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa, kryeshefja e IPK-së do të raportojë sot në Komision për të gjitha informatat që kanë lidhje me deportimin e gjashtë gylenistëve nga Kosovë për në Turqi, që ndodhi para 6 muajve.
Por, para gjashtë muajve, në krye të Inspektoratit, atëherë kur edhe ndodhi deportimi, ishte Hilmi Mehmeti. Më 8 gusht, Miradije Kelmendi më pas u emërua në krye të Inspektoratit, shkruan Gazeta Express.
Komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.
Gjashtë gylenistët nga Kosova u dërguan në Turqi më 29 mars përmes një operacioni të MIT-it me Agjencinë Inteligjente të Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj, pas deportimit të gylenistëve në Turqi, shkarkoi ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe urdhëroi shkarkimin e shefit të AKI-së, Driton Gashi.
Por, familjet e gylenistëve që u deportuan, u deklaruan se ndihen të rrezikuar në Kosovë, për faktin se çdo moment mund të kidnapohen dhe t’i dërgohen shtetit turk. /GazetaExpress/










