Presidenti vë në siklet Komisionin për gylenistët: Kërkon të dijë kush është eksperti

Presidenti Hashim Thaçi sot është ftuar që të raportojë para Komisionit Hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Me të filluar mbledhja ka pasur përplasje të vogla mes presidentit dhe kryetarit të Komisionit Hetimor, Xhelal Sveqla.

Fillimisht, Thaçi ka kërkuar të dijë së cili është eksperti i cili e ka përpiluar raportin.

Presidenti ka thënë se nuk është e udhës të mos dihet se kush është eksperti ndërkombëtar, që sipas tij nuk duhet të jetë i panjohur.

Thaçi ka pyetur se në çfarë baze ligjore është angazhuar eksperti ndërkombëtar për rastin e gylenistëve.

Anëtari i Komisionit, Muharrem Nitaj ka thënë se nuk është kërkuar interpretim nga ndonjë zyrë ligjore.

Ai ka kërkuar nga Thaçi që nëse ka ndonjë informacion që mund ta komprometojnë angazhimin e këtij eksperti, t’ua tregojë komisionit.

Megjithatë kryetari i Komisionit Sveqla ka thënë se eksperti është angazhuar në konsultim me juristët e komisionit dhe sekretarinë e Kuvendit.

E deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se askush nuk ka pasur informacione për ekspertin e angazhuar.

Ai ka thënë se krejt çfarë dinë për të është se i njëjti ka punuar në zyrën e avokatit të popullit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu