Presioni që bëhet në Veri: “Nëse nuk firmosni, do t’ju digjet makina”

Një zyrtare serbe e Gjykatës Themelore në Mitrovicë pretendon se është detyruar të japë dorëheqje pas 20 vitesh shërbim, pasi më 5 nëntor u vendos që përfaqësuesit e komunitetit serb të largohen kolektivisht nga institucionet e Kosovës.

Vendimi është marrë në një takim me Goran Rakiçin, kryetarin e Listës Serbe, partia e vetme e serbëve të Kosovës që ka përfaqësues në institucionet e Kosovës.

Arsyeja e pretenduar është “shkelja e të drejtave të serbëve” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Është kërkuar që të anulohet vendimi i autoriteteve kosovare për riregjistrimin e automjeteve me shenja të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Po ashtu të formohet Unioni i Komunave me shumicë serbe.

“Askush nuk ka plan se si do të rregullohet. Thjesht thanë ejani firmosni dorëheqjet, të cilat ne duhet t’i firmosnim. Pavarësisht që thonë se ka qenë vullnetare, nuk ka qenë fare vullnetare”, dëshmoi ajo, i cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

Identiteti i saj është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (RSE).

“Të gjithë thonë se nuk duhet, por ti e di që duhet, se je i detyruar, nëse nuk firmos, do të të vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, thotë ajo.

Policia e Kosovës në dy muajt e fundit ka regjistruar pesë raste të djegies së pasurisë së personave të cilët kanë vendosur të zëvendësojnë targat KM (Mitrovica e Kosovës) me RKS (Republika e Kosovës), të cilat autoritetet e Kosovës e karakterizojnë si “kanosje”.

Ndihma 160 euroshe nga Beogradi

Të gjithë bashkëbiseduesit e RSE janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre pasi nuk e dinë se si do të mbijetojnë pa rroga dhe theksojnë se të gjithë kanë kredi për të shlyer.

Një zyrtar i komunës thotë se edhe gruaja e tij ka punuar në një nga institucionet e Kosovës, kështu që ata dhe dy fëmijët e tyre të mitur kanë mbetur pa të ardhura.

“Ajo që ndodh është se ne që nuk dëshirojmë të largohemi nga ato institucione (të Kosovës) do të jemi tradhtarë. Është turp”, thotë bashkëbiseduesi, i cili gjithashtu këmbëngul të mbetet anonim.

Një zyrtar nga sistemi gjyqësor, nga ana tjetër, tregon se Beogradi zyrtar u ka siguruar një pagë të përkohshme prej 20 mijë dinarë, që është rreth 160 euro.

“Ju thjesht nuk mund të jetoni nga kjo, as nuk mund të mbijetoni. Unë kam një kredi mbi 6000 euro dhe nuk e di se si do ta kthej tani. Është vërtet e frikshme”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu