Një anëtar i familjes mbretërore të Arabisë Saudite u gjet i vdekur në dhomën e tij në një hotel luksoz në Londër, pasi kishte përfunduar trajtimin për varësinë nga alkooli dhe barnat qetësuese.
Abdullah bin Fahad bin Abdullah bin Abdulaziz bin Jalawi al Saud, 29 vjeç, u gjet i pajetë në banjën e dhomës së tij në hotelin Marriott në Kensingtonin Perëndimor, më 25 nëntor të vitit të kaluar.
Sipas The Indipendent, nga hetimi i zhvilluar në Gjykatën e Koronerit të Londrës Perëndimore, ai kishte hyrë në hotel më 19 nëntor për një qëndrim njëjavor. Pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë për herë të fundit mbrëmjen para vdekjes, kur kishte dalë jashtë për të pirë një cigare.
Të nesërmen, një punonjëse e pastrimit e gjeti të shtrirë në dyshemenë e banjës. Sigurimi i hotelit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë u thirrën menjëherë, por nuk arritën ta rikthenin në jetë.
Sipas The Indipendent, raporti toksikologjik zbuloi se ai kishte një nivel alkooli në gjak prej 222 mg për 100 ml, pothuajse trefishi i kufirit ligjor për drejtimin e automjetit në Mbretërinë e Bashkuar (80 mg/100 ml). Në organizmin e tij u gjetën gjithashtu nivele potencialisht fatale të drogës GHB (Gamma-hydroxybutyrate), si dhe gjurmë kanabisi, alprazolam (Xanax) në dozë rekreative dhe barna të tjera kundër ankthit në doza terapeutike.
Gjykata dëgjoi se i ndjeri kishte pasur probleme me konsumimin e alkoolit dhe Xanax-it. Në gusht të vitit të kaluar ai ishte trajtuar në klinikën e njohur Priory Clinic në Londër, ku iu nënshtrua një programi detoksifikimi nga alkooli, benzodiazepinat dhe pregabalina. Më pas kishte vazhduar trajtimin në klinikën private Rainford Hall.
Autopsia konstatoi se 29-vjeçari nuk vuante nga sëmundje akute apo kronike, por kishte pësuar arrest kardiak si pasojë e kombinimit të alkoolit dhe substancave të ndryshme.
Koronerja ndihmëse Jean Harkin përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes, duke theksuar se nuk kishte prova që ai kishte synuar t’i jepte fund jetës së tij. Gjithashtu, nuk u gjetën prova për përfshirjen e një personi të tretë.
Vendimi përfundimtar i gjykatës ishte se bëhej fjalë për një vdekje aksidentale (death by misadventure), me shkak helmimin nga konsumimi i shumë substancave (multi-drug ingestion).










