Edhe këtë vit shkollor nuk do të ketë paralele më mësim në gjuhën shqipe në shkollën e muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë. Mospërfillja e kërkesës shumëvjeçare të prindërve dhe artistëve shqiptar ka bërë që ata të paralajmërojnë bojkotin e mësimit por edhe padi ndaj përgjegjësve të shkollës dhe pushtetit lokal.
“Me keq ardhje e them edhe këtë se aty mësojnë fëmijë, dhe shumë keq është që ta bëjmë për ngas aspekti human sepse do e ndërpresim procesin mësimorë, me keq ardhje e them por ja që jemi të detyruar të veprojmë kështu deri sa ta arrijmë qëllimin tonë”, deklaroi Rami Mustafa, Shoqata Kulturore Artisitike “Mrika”.
Kreu i Kumanovës Zoran Damjanovski, i cili pati premtuar se do të hapet paralelja në gjuhën shqipe, thotë se është në pritje të përgjigjes nga institucionet përkatëse për hapjen e saj.
“Jemi në kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe shkencave, dhe presim përgjigje pozitive dhe për zgjidhjen e kësaj çështje, kjo është një çështje teknike për mua mirëpo po i jepet dimension tjetër i çështjes ndëretnike. Mendoj se duhet të respektohet ligji për dygjuhësi në arsim në Maqedoni”, u shpreh Zoran Damjanovski, kryetar i Komunës së
Kumanovës.
Por nga Ministria e Arsimit thonë se përgjegjës për hapjen e paraleles është pushteti lokal.
“Ministria e Arsimit nuk ka asnjë kompetencë të përzihet në çështjet e komunës. Shpresoj që shkolla dhe komuna të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, tha Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit.
Për kërkesën e prindërve dhe artistëve shqiptar do të diskutoj këshilli komunal në seancën e ardhshme meqë sot nuk arriti ta vendos si pikë të rendit të ditës për shkak të nevojës për konsultime me shërbimet kompetente komunale për të parë se deri ku është arritur me këtë iniciativë.
“Është një kërkesë legjitime e kamotshme realisht ka 2 vite që diskutojmë, është për çudi pse nuk ndërmerren hapat. Ne si këshilltarë kemi dhënë kontributin tonë në këtë aspekt me gjitha mundësit që i kemi pas”, u shpreh Ridvan Asani, kordinator i këshilltarëve të BDI-së,Kumanovë.
Prindërit thonë se për hapjen e paraleles ekzistojnë të gjitha kushtet, kuadri dhe hapësira për zhvillimin e procesit mësimor.