Procesi zgjedhor në diasporë, KQZ jep përditësimin e fundit

Procesi zgjedhor në diasporë, KQZ jep përditësimin e fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar përmes një rrjeti social se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdojnë proceset e numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, si dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë.

Sipas njoftimit, deri tani janë numëruar 13 nga 47 vendvotime të përfaqësive diplomatike, ndërsa procesi i numërimit ka filluar pasditen e 11 qershorit. Në votimin e zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme, nga 27,724 qytetarë të regjistruar kanë votuar 22,860, që përbën 82.46% pjesëmarrje.

KQZ thekson se të dhënat nga secili vendvotim, pas përfundimit të numërimit, po transmetohen në platformën zyrtare të rezultateve.

Ndërkohë, po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të rreth 42 mijë pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Deri në përfundim të ditës së fundit të raportimit, janë aprovuar 40,414 pako, ndërsa 1,447 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit, sipas KQZ-së, është mungesa e dëftesës së regjistrimit në 1,320 raste.

KQZ bën të ditur se ky proces ka për qëllim verifikimin nëse pakot i përkasin votuesve të regjistruar, ndërsa pas përfundimit të vlerësimit do të publikohen të dhënat përfundimtare për numrin e pakove që do të numërohen në QNR.

Po ashtu, është bërë e ditur se nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë./Arbresh.info


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu