Prodhuesit e ujit, të shqetësuar nga shtrenjtimi i lëndëve të para

Valën e rritjes së lëndëve të para, që po ndikon direkt te shtimi i kostove te prodhuesit shqiptarë, po e vuajnë edhe fabrikat e ujit të ambalazhuar. Drejtuesit kryesorë pohojnë se janë prekur më shumë nga katërfishimi i çmimit të energjisë dhe shtrenjtimi i lartë i ambalazhimit të plastikës. Për këto arsye, kostot e prodhimit për ta janë shtuar 50 deri në 100%.

Aktualisht prodhuesit po ambalazhojnë ujin e pijshëm me shumë vështirësi dhe me fitime të ulëta. Në tregun e brendshëm, rritja e çmimeve ka qenë e ulët, për shkak të informalitetit të lartë të tregut.

Në anën tjetër, prodhuesit pohojnë se eksportet vijojnë trendin rritës, por nuk arrijnë të mbulojnë kostot e larta dhe rënien e kërkesës nga tregu i brendshëm.

Prodhimi i ujit, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2021 u rrit rreth 4% më shumë se në 2020-n. Rritja e sasisë së ujit të ambalazhuar për vitin 2021 është në të njëjtat nivele edhe me 2019-n, periudhën para pandemisë.

Thanas Severi, administratori i ujit “Lajthiza”, tha se prej janarit të vitit të kaluar, industria po vuan rritjen e çmimit të energjisë, naftës, transportit detar dhe plastikës së ambalazhimit të shisheve të ujit.

“Nga muaji dhjetor 2020 deri në dhjetor 2021, çmimi i ambalazhit plastik është rritur 100%. Nga dhjetori 2021 deri në mars 2022, plastika u shtrenjtua përsëri 30%. Rritje të lartë të çmimit ka pasur edhe për energjinë. Fabrika furnizohet në linjën e tensionit të lartë 35 deri në 110 kV. Çmimi për këtë kategori furnizuesish është rritur 4,5 herë, nga 18,8 lekë në 36 lekë për kWh.

Me nivelin e çmimit të mëparshëm, energjia zinte 10-15% të totalit të kostove të prodhimit. Aktualisht me rritjen e çmimit, energjia zë pjesë të konsiderueshme te kostot.

Në anën tjetër, duhet theksuar që shumë fabrika të tjera furnizohen në linjën e tensionit të ulët 20 kV, nga të cilat po blihet energjia me çmim preferencial 18,8 lekë/kWh. Kjo situatë po ndikon te konkurrenca”.

Kostot e prodhimit të ujit të ambalazhuar janë shtuar 100% nga rritja e çmimeve sipas përfaqësuesit të ujit “Lajthiza”. “Situata është e jashtëzakonshme.

Pritet edhe për periudhën në vijim, të ketë rritje të çmimeve të lëndëve të para, e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti te kostot. Shtrenjtimi i lëndëve të para në tregjet e huaja ishte i pritshëm pas krizës së pandemisë. Kurse rritja e çmimit të energjisë në këto nivele është e pashpjegueshme. Nisi rritja e çmimit në bursë dhe vijoi rritja zinxhir në të gjithë tregun.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu