Profili misterioz i gruas norvegjeze të Albin Kurtit. Historia e lidhjes së tyre (FOTO)

Në të dielën e 6 tetorit, shumë nga kameramanët dhe reporterët që po e ndiqnin nga pas Albin Kurtin, për të transmetur live votimin e tij, u habitën nga ajo që bëri gruaja skandinave me shtat të gjatë që e shoqëroi kreun e Vetevendosjes deri tek dera e qendrës së votimit, për tu tërhequr më pas. Kjo sekuencë ka shpjegimin e saj të thjeshtë: Rita Knudsen Augestad, bashkëshortja e Albinit nuk e ka shtetsinë kosovare, prandaj dhe nuk mund të votonte përkrah tij në ditën e vet më të rëndësishme në politikë. Ajo shkoi deri aty për tu tërhequr më pas me vajzën e tyre 5 vjeçare, Lea.

Por, kjo ngjarje rutinore ka edhe kuptimin e saj simbolik. Ajo dëshmon për rolin tejet diskret që luan noegjezja në aktivitetin publik të Albinit. Lapsi.al ka kontrolluar në arkivat e mediave kosovare, ka hetuar te njohësit e aktivitetit politik të liderit të Vetëndosjes dhe ka aritur në përfundimin se për Rita Knudsen Augestad dihet shumë pak, pothuajse fare.

Natyrisht, kjo jo si pasojë e një lidhjeje patriarkale, ku imazhi i bashkëshortes duhet të mbetet i kyçur brenda mureve të shtëpisë, por më shumë si zgjedhje e përbashkët: e para sepse të dy bashkëshortët kanë vendosur ta mbajnë thllësisht të ndarë jetën private nga ajo publike dhe e dyta sepse Rita vazhdon ta dyzojë jetën e saj mes Prishtinës dhe Oslos, ku ajo vazhdon të ndjekë aktivitetin e saj profesional.

Por, megjithë këmbënguljen për ti qëndruar larg kaosit të politikës kosovare, Rita Knudsen Augestad, nuk ka mbetur dot pa lagur. Bashkëhortit të saj kundërshtarët i kanë kërkuar shpesh llogari se si një politikan që bënte thirrje për të konsumuar produktet vendase, dashurinë në shtart e konsumonte me një norvegjeze. Ata më të çarturit dhe më spekulativët kanë vajtur edhe më tej, e kanë parë lidhjen e tyre jo si një fryt dashurie, por si konvergim interesash agjenturore në dëm të Kosovës.

Madje të gjitha mediat botuan në bllok një lajm të dalë fillimisht nga emisioni “Prive” në Klan Kosova: “Prive nga burime shumë të sigurta merr vesh që Albini dhe Rita i kanë dhënë fund martesës së tyre para disa kohe dhe kërkesën për divorc tashmë e kanë deponuar në gjykatë. Nuk dihen shkaqet e ndarjes që vjen në një periudhë kur në rrafshin profesional, Kurti me akterët e tjerë opozitarë i kanë hyrë betejës ndoshta më të madhe në karrierë për kundërshtimin e fuqishëm të dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel e Vjenë” u tha nga “Prive” në shkurt 2016.

Zyra e lëvizjes Vetëvendosja në Prishtinë e përgënjeshtroi menjëherë lajmin, madje me stilin e zakonshëm për të parë mbrapa tij një teori konspirative e akuzoi median që e përhapi se po i shërbente një axhende politike.

Në një nga të paktat raste kur Rita Knudsen Augestad e mori fjalën në publik, ishte për të përgënjeshtruar lajmin e ndarjes. Por, ndryshe nga zyrtarët e partisë të bashkëshortit, ajo e bëri këtë në mënyrën saj, diskrete dhe njëkohësisht moraliste: ‘Lajmet’ e publikuara nga media të ndryshme në Kosovë për relacionin me burrin tim, Albin Kurti, janë qartazi plotësisht të pavërteta. Ky është një nivel i ri i ulët i atyre që shpërndajnë dezinformata të tilla të turpshme” u mjaftua ajo me një postim të shkurtër.

Në fakt, Albin Kurti dhe Rita e kishin kurorëzuar lidhjen e tyre me martesë dy vite përpara këtij incidenti, në mars të 2014. Ata u betuan prpara njëri tjetrit në bashkinë e Prishtinës, nga ish bashkëudhëtari i Albinit, sot kundërshtar i tij, Shpend Ahmeti.

Për tre pjestarët e familjes Kurti nuk dihet më shumë sesa ka pranuar të rrëfejë vetë Albini. Ai ka thënë se me gruan e tij të ardhshme u njoh në kryeqytetin e Kosovës, ku filloi pasioni mes tyre. Duke folur për emisionin “N’Konak” të RTV Dukagjinit, ai ka treguar: “Mendoj se jeta është pak misterioze dhe nuk dihet se ku të përplasin dallgët. Unë gruan time e njoha në Prishtinë. Unë jam i lumtur me atë që ka ndodhur. Unë nuk shoh barriera për faktin se ajo është e huaj. Nuk kemi shef në familje, por kemi një lloj bashkëqeverisje”, është rrëfyer ai duke dhënë edhe pak elemente e si e rrisin vajzën e tyre Lea: “Vajzës i flas shqip. Po,r ajo e di edhe gjuhën norvegjeze. Në fillim kemi pasur probleme, pasi që me gruan komunikojë në gjuhën angleze dhe kjo ka bërë që hutohet vajza ime. Tani ajo e di shqip më mirë se sa unë gjuhën norvegjeze”.

Por, pavarësisht se Rita ka mbajtur një qëndrim të distancuar nga politika e përditshme e Prishtinës, bindet e njëjta dhe këndvështrimet e ngjashme për botën duket se i kanë afruar të dy bashkëshortët aktualë me njëri tjetrin. Mediat kosovare, sidomos ato opozitare, që kanë dashur të gjejnë gjilpërën në kashtë tek lideri puritan që ka denoncuar ‘hajnat” e qeverisë dhe “shtetin e kapur”, kanë zbuluar se ata kanë koncepte të përbashkëta për shumëçka ndodh në vendin e tyre. Kështu ato kanë raportuar se Rita Knudsen Augestad ka mbajtur në tetor 2010 një raport tejet kritik për mënyrën se si ndërkombëtarët kanë udhëhequr privatizimin në Kosovë. Po të rilexohet edhe sot ky dokument i përgatitur për llogari të “Norwegian Institute of International Affairs” aty vihen re qëndrime kritike të majta, tejet të ngjashme me ato që ka pasur Vetëvendosja për shpërndarjen e pasurive të përbashkëta të Kosovës.

Një tjetër rast është edhe ai i akuzave me të cilat e kanë shigjetuar Albin Kurtin se nuk është tejet i vendosur në goditjen e islamit politik dhe se i përdor radikalët muslimanë si vegla për të mbledhur vota. Në fakt ashtu si shumë të majtë perendimorë, Albini nuk e sheh rrezikun e islamit politik të palidhur me shkaqet e margjinalizimit dhe të pabarazisë shoqërore dhe duket se këtë bindje e ndan edhe me gruan e vet norvegjeze.
Në një raport të saj, që mediat e kanë paraqitur si kundërvënie ndaj fakteve të shtypit perendimor që denonconte luftëtarët islamikë që linin Kosovën për të shkuar në Siri, ajo pretendonte se ky fenomen ishte raportuar i eksagjeruar. Por dokumenti i përgatitur prej saj për Institutin Norvegjez për Marrëdhënie me Jashtë kishte për qëllim, njësoj si këndvështrimi i Vetëvendosjes, të përhkruante një tablo pa sencacione mediatike për këtë fenomen.

Eshtë pikërisht puna që vazhdon të mbajë në Oslo, që e ka bërë Rita Knudsen Augestad të merret si objekt nga kundërshtarët e bashkëshortit të saj. Ish kreu i kuvendit Kadri Veseli, i akuzuar shpesh si kreu i një partie që po grabit Kosovën, shfrytëzoi deklarimin e pasurisë së politikanëve për të hedhur dyshime mbi gruan norvegjeze. Në vetë deklarimin e saj, pohohej se ndryshe nga Albini që nuk ka as shtëpi, ajo nga paga në Norvegji fiton 42 mijë e 240 euro, si dhe ka të kursyera 85 mijë euro. “Albin Kurti kurrë nuk mundet të ma bëjë me gisht për kurrgjë, ai mund veç vetit me ja bo qysh po mendon me bë një shtëpi në Norvegji, ku i bëri 80 mijë euro bashkëshortja e tij? -pyeti Veseli në një intervistë për Rubikon të KTV-së.

Rita Knudsen Augestad gjate fushates me te emen dhe vajzen Lea gjte fushates se fundit
Pra është e qartë se edhe duke u munduar të mos jetë prezente ne andrallat politike të të shoqit, Rita Knudsen Augestad nuk ka mundur dot ti’a dalë.

Tani kur Albin Kurti pritet të jetë kryeministër, presioni mbi të do të rritet edhe më. A do të transferohet për të jetuar në Kosovë? A do të pranojë ta lërë aktivitetin e saj profesional? A do të bashkëqeverisin edhe në shtet, ashtu siç thoshte dikur Albini se bënin në shtëpi?

Lapsi.al ka pyetur disa nga bashkëpunëtorët e Albinit dhe ka marrë përgjigjen e prerë se pandehma e fundit nuk ka shanc që të ndodhë.

Por, sido që të jetë një gjë është e sigurtë. Më burrin kryeministër, gruaja norvegjeze do të detyrohet të dorëzojë shumë më tepër nga misteri që e ka ruajtur me fanatizëm deri më tani. Do apo s’do, ajo do ti’a paguajë këtë haraç aventurëse së vet sentimentale, zgjedhjes që ka bërë për të ndarë jetën me Albinin, në fund të fundit politikës, që di të jetë e pamëshirshme me ata që rrethojnë protagonistët e saj. Me hir apo me pahir, Rita nga Norvegjia do të gjendet në syrin e ciklonit shqiptar sado të mundohet të qëndrojë pas derës, ashtu siç bëri në dhomën e votimit të dielën e 6 tetorit. /Lapsi.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu