Opozita shqiptare po proteston sot para Kuvendit, protesta e dytë radhazi kjo pas tubimit masiv të 16 shkurtit para Kryeministrisë. Një ditë më parë deputetët e opozitës firmosën formularin për lënien e mandateve parlamentare.
“Ne përmes bashkimit me qytetarët do të bëjmë të mundur që këto dy ngjarje të rëndësishme sot, mbyllja e parlamentit dhe rrethimi me tela me gjemba ushtarakë dhe largimi i Edi Ramës të mos jenë ngjarje e një dite por të kthehen shumë shpejt në zgjidhjen politike dhe ti hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një parlamenti nga populli, për popullin dhe të popullit”, theksoi lideri i PDsë, Lulzim Basha. Para protestuesve po qëndron edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për të mbrojtur godinën e Kuvendit nga protestuesit e opozitës së bashkuar. Një ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, policia tha se protestuesit do të tentojnë të mësyjnë në sallën e Parlamentit, ku pritej të zhvillohej seanca e përjavshme. Për shkak të dhunës që pritet të ndodhë në protestën e sotme, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi anuloi seancën.
Pavarësisht policia mbrëmjen e djeshme ka përgatitur planin e masave, duke rrethuar me tel me gjemba godinën. Paraditen e sotme forca të shumta policie kanë bërë kordon rreth Parlamentit.










