Protesta për rrugën e Kombit, Kryemadhi: Fundi i Edi Ramës nisi nga Kukësi

Lidhur me situatën e krijuar ditën e sotme në rrugën e Kombit, ku qindra protestues i kanë vënë flakën gabinës ku bëhen pagesat, ka reaguar edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Kryemadhi thotë se qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm.

Sipas saj fundi i kryeministrit Edi Rama ka nisur, pasi qeveria e tij ka humbur besimin dhe mbështetjen.

“Sot qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm.

Ata që kanë humbur besimin te drejtimi i qeverisë, tek ekonomia që po shkatërrohet sepse Edi Rama do të kënaqë orekset e oligarkëve, sot janë shumica dhe me të fortë se kurrë.

Revolta e tyre në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit.”, thotë Kryemadhi.

Qytetarët kanë dalë në protestë për të kundërshtuar vendosjen e tarifës për këtë rrugë, ku çdokush që do të kalojë është i detyruar të paguajë nga 5 euro deri në 44 euro.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu