Pse Putin nuk do të dalë kurrë para gjyqit në Hagë, ja çfarë mund të ndodhë

Pak ditë më parë, Alfred Yekatom po qëndronte i nervozuar në bankën e të akuzuarve, ndërsa një dëshmitare po tregonte se si familja e saj i mbijetoi një bastisjes të armatosur në një mbrëmje, që dyshohet se ishte organizuar prej tij. Ish-udhëheqësi i milicisë së Afrikës Qendrore po përballet me një listë të gjatë akuzash.

Përveç vrasjeve, torturave, ngritjes së një ushtrie me fëmijë dhe plaçkitjes së një xhamie në vitin 2013, bie në sy një akuzë: ajo e krimeve kundër njerëzimit. Kjo është arsyeja pse Yekatom, që i mohon të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, ishte në bankën e të akuzuarve në Hagë, qyteti holandez ku ndodhet Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), i veshur me një shall për të shmangur të ftohtin e hershëm të pranverës.

Procedurat e gjyqit janë të ngadalta. Tani gjyqi ka hyrë në vitin e tretë. Nëse treshja e gjyqtarëve që ka në dorë këtë çështje e shpall fajtor, e pret një dënim i gjatë me burg. A mund të dalë një ditë në atë bankë të akuzuarish ku sot qëndrojnë banditë nga Republika e Afrikës Qendrore, president aktual i Rusisë?

“Vladimir Putin në Hagë!” është bërë një thirrje e vazhdueshme për ata që duan që organizatori i luftës në Ukrainë të përballet me drejtësinë në përpjesëtim të drejtë me masakrat që po shkakton në Ukrainë. Ky rast bart një ngarkesë të madhe morale, dhe buron nga aktet e shumta mizore të kryera nga trupat ruse, bombardimet e civilëve dhe vetë akti i pushtimit të vendit fqinj.

Dhe sigurisht që e gjitha kjo meriton të ndëshkohet. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka përmendur ndjekjen penale të udhëheqësve të lartë rusë si një nga 10 pikat e tij për arritjen e paqes midis 2 vendeve. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është ndër ata që kërkojnë që Vladimir Putin të përballet me drejtësinë.

Hetuesit e huaj ndodhen aktualisht në Ukrainë për të mbledhur dhe ruajtur provat për një gjyq që mund të zhvillohet në të ardhmen. Por le të jemi realistë: Putin nuk do të shfaqet shumë shpejt në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Sepse drejtësia e kufizuar penale ndërkombëtare që ekziston aktualisht, nuk vlen për liderët e vendeve që janë të pajisur më armë bërthamore. Gjithsesi ka ende mundësi që disa krime ruse të ndiqen penalisht. Imuniteti aktual që gëzon Putin, vjen si rezultat i dobësisë së sistemit gjyqësor ndërkombëtar.

Ndërsa drejtësia brenda vendeve ka statute të qarta dhe gjykata të konsoliduara, e drejta ndërkombëtare përcaktohet nga studiues të jurisprudencës pasi nënshkruhen traktatet dhe hartohen normat. Vendet mund të zgjedhin ta pranojnë apo jo sipas gjykimit të tyre.

Dhe nuk ka asnjë forcë policore globale për ta zbatuar fuqinë në letër që ka kjo gjykatë.

Pengesa e parë për ata që do të donin ta shihnin Putinin prapa hekurave të burgut, është se Rusia nuk është nënshkruese e konventës që ka krijuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Disa ekspertë thonë se ky detaj nuk ka shumë rëndësi, sepse mund të krijohet nga OKB një gjykatë e posaçme për këtë rast, siç ndodhi për Ruandën apo Jugosllavinë në vitet 1990 pas masakrave të mëdha që ndodhën atje. Presidenti jugosllav i asaj kohe Slobodan Milosevic, i kaloi vitet e tij të fundit duke u gjykuar nga burgu dhe vdiq po atje.

Por kjo mund të mos ndodhë edhe me Putin. Precedenti ka rëndësi në të drejtën ndërkombëtare, por nuk ekziston asnjë i ngjashëm që mund ta çojë Putinin në burg. Ekzistojnë 2 kategori akuzash, me të cilat mund të përballen rusët që janë autorë të krimeve të luftës. Njëra përfshin krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit: kur civilët janë në shënjestër gjatë një konflikti, apo kur trupat përdhunojnë dhe plaçkitin. Ushtarët që kryejnë akte të tilla mund të gjykohen (siç edhe ka ndodhur tashmë me disa ushtarë rusë në Ukrainë).

Në teori, llogari para ligjit duhet të japin edhe komandantët dhe padronët e tyre politikë. Por në praktikë vështirë se mund të vërtetohet se ata kanë urdhëruar një sjellje të tillë. Për këtë arsye, Ukraina dhe aleatët e saj flasin për kategorinë e dytë të akuzave: krimin e agresionit. Akti i pushtimit të një vendi fqinj, mund të vendoset plotësisht mbi supet e politikanëve. Por ndjekja penale e një krimi të tillë gjendet në një terren ligjor thuajse të pa eksploruar. Në të dyja herët që ka ndodhur – gjyqet e Nurembergut dhe Tokios që pasuan Luftën e Dytë Botërore – vendet e përfshira përdorën prokuroritë e tyre (të dyja qeveritë drejtoheshin nga Amerika dhe aleatët e saj).

Kjo gjë nuk do të ndodhë, përveçse nëse pushtohet Rusia apo rrëzohet Putini nga pushteti.

Gjykatat për krimet në Ruanda dhe ish-Jugosllavi nuk ofrojnë më ndonjë shpresë. Që të dyja u krijuan nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që miratoi gjykata të ngjashme edhe në vende të tjera si Sierra Leone.

Duke qenë se Rusia ka të drejtën e vetos, hedhja e një hapi të ngjashëm është i pamundur. Disa ekspertë ligjorë mendojnë se ngritjen e një gjykatë të tillë mund ta kërkojë shumica në Asamblenë e Përgjithshme e OKB-së (ku secili vend ka një votë por nuk ka të drejtën e vetos).

Por kjo lloj zgjidhje do ta shtynte ligjin ndërkombëtar përtej kufijve të tij aktualë. Dhe arritja e synimit përmes një votimi të tillë nuk është e garantuar: shumë vende, përfshirë Amerikën, nuk janë të prirur t’u japin më shumë pushtet gjykatave ndërkombëtare. Në këto kushte në dispozicion mbeten 2 opsione, dhe asnjëri nuk është i kënaqshëm.

I pari është ndjekja penale e rusëve nëpërmjet sistemit ligjor ukrainas, ndoshta në një gjykatë të miratuar nga të huajt dhe me gjyqtarë ndërkombëtarë. Por asaj do t’i mungonte vlera simbolike e një gjyqi në Hagë. Sepse do të ndiqen penalisht vetëm ushtarët dhe zyrtarët rusë të nivele të ulëta përmes asaj që do të dukej si një drejtësi ndëshkuese.

Së dyti, ICC mund të lejohet të ndjekë penalisht krimet ruse të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por jo krimin e agresionit, që në rastin e Rusisë është jashtë kompetencave të tij aktuale. Për këtë, mjafton që Ukraina ta njohë autoritetin e Gjykatës së Hagës, e cila ka nisur tashmë një hetim për veprimet e Rusisë në territorin e saj sovran.

Por shumë pak ekspertë mendojnë se mund të ngrihet një padi kundër Putinit. Në çdo rast, kjo gjykatë nuk i gjykon të dyshuarit në mungesë. Plani i preferuar i Ukrainës është krijimi i një gjykate të posaçme në Hagë, të ndarë nga GJNP- ja dhe që të jetë në gjendje të ndjekë penalisht krimin e agresionit, duke shënjestruar kësisoj Kremlinin.

Por edhe ky skenar është jorealist. Akoma më keq, ai mund të diskreditojë ICC në përpjekjen e saj për të ndjekur penalisht një agresion të tillë ndërkufitar në të ardhmen, thotë Olivier Corten, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Université Libre de Bruxelles.

Ndjekja penale e kriminelëve të luftës në fushën e betejës nga Gykata Ndërkombëtare Penale, ndërsa do të shmangte Putinin, nuk do të ishte thjesht simbolike. Cilido që mund t’i frikësohet ndjekjes penale nga ICC – për shembull gjeneralët dhe mercenarët e Grupit Vagner – do të hezitojë të dalë ndonjëherë nga Rusia, në mënyrë që të shmangë kapjen dhe dorëzimin në Hagë.

Edhe ky izolim do të ishte një lloj ndëshkimi. Nuk është e thënë që kjo qasje ta zhgënjejë Ukrainën. Sepse nëse komuniteti ndërkombëtar nuk mund të ndjekë penalisht krimin e agresionit të Putinit, ai duhet të dyfishojë përpjekjet për t’u siguruar që një krim i tillë të mos shpërblehet. Dhe duhet ta bëjë këtë duke i dhënë Zelensky armët dhe paratë që i nevojiten për të mposhtur forcën pushtuese ruse.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu