Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se NATO po përgatitet për një përballje ushtarake me Rusinë, duke akuzuar vendet perëndimore se po rrisin shpenzimet e mbrojtjes duke u bazuar në, sipas tij, “akuza të rreme” për një kërcënim nga Moska.
Duke folur para të diplomuarve të akademive ushtarake në Moskë, Putin u shpreh se Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk po kufizohet vetëm në mbështetjen e Ukrainës, por po diskuton hapur mundësinë e një konflikti me Rusinë.
“Po diskutohet hapur në Perëndim se po përgatiten për luftë kundër nesh dhe po rrisin shpenzimet e tyre ushtarake. Në këtë kontekst, ata po citojnë akuza të rreme për një kërcënim të supozuar ushtarak nga Rusia”, deklaroi presidenti rus.
Putin theksoi se Moska është e gatshme të reagojë ndaj çdo rreziku që mund të paraqitet.
“Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi në mënyrë operative dhe të përshtatshme çdo lloj kërcënimi”, tha ai.
Deklaratat e liderit rus vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon prej më shumë se katër vitesh. Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në shkurt të vitit 2022, ka shtyrë vendet e Bashkimi Evropian dhe NATO të rrisin mbështetjen ushtarake dhe ekonomike për Kievin, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit mbeten të larta.










