“Putin po përgatit sulmin e bujshëm”, shërbimet sekrete: Një nga objektivat, kabllot e komunikimit nënujor

Rusia duket për momentin në vështirësi të madhe për sa i përket konfliktit që shkaktoi vetë në shkurtin e këtij viti. Por sipas burimeve të shërbimeve sekrete, Vladimir Putin po përgatitet për një kundërpërgjigje të fortë, ndoshta të dëshpëruar, por sigurisht të bujshme, në tentativën për të rikthyer fatin e luftës në favor të Moskës.

Se kur do të ndodhë kjo kundërpërgjigje e Kremlinit nuk dihet, por kancelaritë europiane edhe Uashingtoni e kanë të qartë se ajo është një mundësi reale, me pasoja dramatike dhe që me gjasa ka potencial për ta zgjeruar më tej konfliktin.

Sipas burimeve, të cituara nga britanikja Mirror, opsionet e menduara janë kryesisht dy, njëra më shqetësuese se tjetra. Një manovër e tillë mund të ndodhë pas zyrtarizimit të Bashkimit unilateral të rajoneve ukrainase ku është zhvilluar referendumi, më saktësisht në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia and Kherson, diçka që mund të ndodhë edhe më 30 shtator, kur Putin pritet t’i drejtohet sërish popullit të tij.

Liderët perëndimore tashmë po akuzojnë drejtpërdrejt Rusinë për sabotazhin e gazsjellësit Nord Stream në ujërat e Baltikut, por sipas inteligjencës diçka e tillë mund të ndodhë edhe me linjat kabllore nënujore që mundësojnë komunikimin në rrafsh global.

Mundësinë teknike, ushtria ruse e ka. Linjat kabllore nuk kalojnë larg gjurmës së gazsjellësit në Baltik, aty ku Rusia ka dy baza të rëndësishme, ajo e Shën Petersburgut dhe veçanërisht ajo e Kaliningradit, territorit që ndodhet në kufi me Poloninë.

Kremlini ka edhe mjetet e duhura. Në Shën Petersburg ndodhet flota e re e dronëve nënujore, ndërkohë që nëndetësja Belgorod është projektuar enkas për sulme të drejtuara kabllove nënujore, pasi zbret në thellësi të pamundura për mjete të ngjashëm.

Dëmtimi i tyre do të shkaktonte probleme të mëdha, veçanërisht internetin, me pasoja të paparashikueshme, duke filluar nga tregjet financiare.

Të njëjtat burime shtojnë edhe mundësinë e një sulmi bërthamor taktik, me fuqi të kufizuar, ndoshta në një zonë të izoluar dhe pak të populluar të Ukrainës.

Një mundësi tabu në konfliktet moderne deri pak kohë më parë, por që tani nuk përjashtohet, si arma e fundit i një regjimi të dëshpëruar që e ka të qartë që nuk do t’i mbijetonte dot një humbjeje poshtëruese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu