Qendra Kulturore e Tetovës kushton 13.5 milionë euro vetëm për fazën e karabinës

Ndërtimi i Qendrës së Kulturës në Tetovë është premtim i dhënë që para tetë viteve nga garnitura e atëhershme, VMRO DPMNE-BDI. Më 6 tetor të vitit 2010, ministrja e atëhershme e Kulturës Elizabeta Kançeska- Milevska prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhej të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. Katër arkitektë vunë nënshkrimin në zgjidhjen ideore me titull pune “Perde”.

“Konsideroj se zgjidhja e parë e sendërtuar e arkitektëve Besian Memeti, Betim Zeqiri, Bekir Ademi dhe Nikolla Streuovski do t’i përmbushin kushtet hapësinore të këtyre dy institucioneve, që gjithsesi do të kontribuojnë për rritjen e ofertës dhe përkushtimit në kulturë”.

Gurë-themeli për ndërtimin e teatrit të ri dhe bibliotekës në Tetovë u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Në hedhjen e gurëthemelit morën pjesë të gjithë ministrat e atëhershëm të BDI-së. Mediat e hulumtuan vonesën e fillimit të ndërtimit të objektit, ndërsa të njëjtin vit u premtua se në fillim të vitit objekti tërësisht do të jetë gati. Por në terren punët ndërtimore ende vazhdojnë. Objekti i ri është në fazën e karabinës dhe ende nuk janë vendosur dyer dhe dritare. Paralajmërimet e ushtruesit të detyrës së drejtorit të ri të Qendrës së Kulturës në Tetovë janë se faza e parë, e cila përfshin vetëm ndërtimin e objektit do të jetë gati për gjashtë muaj dhe deri tani ka kushtuar 13.5 milionë euro. Për fazën e dytë, apo për rregullimin e brendshëm të Qendrës së Kulturës, do të nevojiten 26 milionë euro dhe të njëjtat do të paguhen në 3 vitet e ardhshëm. Sipas të dhënave të televizionit Alsat, policia financiare ka kontrolluar dokumentacionin dhe projektin për ndërtimin e Qendrës së kulturës në Tetovë. Gjithashtu janë kontrolluar dyshimet nëse ekziston mundësi për keqpërdorim të procedurës për ndarjen e furnizimit publik. Ushtrues detyre drejtori i ri, Artan Arsllani në deklaratë për Alsat tha se vetëm 10 ditë është në këtë funksion dhe nuk është në dijeni nëse dokumentacioni është kontrolluar nga inspektorët financiar.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu