Qeveria e Egjiptit me masat e saj përshpejtuan vdekjen e Morsit

Kufizimet dhe ndalesat që qeveria Egjiptiane zbatoi për presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, Mohamed Morsi, me kalimin e kohës e çuan atë drejt vdekjes, shkruan Anadolu Agency (AA).

Vdekja e Morsit pas humbjes së ndjenjave në sallën e gjykatës të hënën, ka shkaktuar debate mbi ndikimin që masat arbitrare në kohën teksa gjendej në burg kishin në vdekjen e tij.

Sipas deklaratave të mëhershme të vetë Morsit, familjes së tij dhe organizatave të shumta ndërkombëtare, ai është mbajtur i izoluar në qeli, nuk i janë lejuar thuajse aspak vizita dhe transferim në spital dhe është mbajtur në kafaz në kohë seancash gjyqësore. Në këtë mënyrë, atij iu bllokua lidhja me botën e jashtme dhe shëndeti i tij vazhdimisht u përkeqësua.

Disa herë gjatë seancave gjyqësore, Morsi nga kafazi në të cilin mbahej u përpoq të shpjegonte se duhet shtruar në spital dhe se jeta e tij është në rrezik.

Edhe familja e tij kishte bërë thirrje për ndërhyrje ligjore në nivel ndërkombëtar, duke hapur po ashtu padi në mënyrë që Morsi të mund të vizitohej në burg.

Kufizimet dhe ndalesat kundër Morsit

Kufizimet dhe ndalesat e qeverisë egjiptiane kundër Morsit dolën në pah përmes deklaratave të familjes së tij dhe Komitetit Parlamentar të Britanisë. Këto deklarata janë së në vijim.

5 maj 2019

Në deklaratën me shkrim 43 ditë para vdekjes së Morsit, familja e tij tha se Morsi mbahet në kafaz të errët prej qelqi gjatë seancave gjyqësore dhe se atij i është shkëputur lidhja me botën e jashtme.

Në deklaratë thuhej se atij nuk i lejohej të shihej me askënd përveç policëve që e shoqëronin, ndërsa që nga burgimi, atij i janë lejuar vetëm tre takime me familjen dhe avokatët (më 2013 dhe 2017).

Familja po ashtu theksoi se në seancat në gusht të vitit 2015, maj 2017, nëntor 2017 dhe nëntor 2018, Morsi kishte marrë fjalën dhe kishte thënë se jeta e tij gjendej në rrezik.

29 mars 2018

Në deklaratën tjetër, familja njoftoi se ka pranuar lajme se shëndeti i Morsit është përkeqësuar si asnjëherë më parë dhe se administratorët e burgut sillen pa kujdes.

Në deklaratë thuhej se përgjegjësia për jetën e Morsit bie mbi presidentin Abdel Fattah al-Sisi dhe mbi Ministrinë e Brendshme, ndërsa kërkohej mundësimi i të drejtave të njeriut dhe kontrolleve mjekësore.

Një ditë para kësaj deklarate të familjes, një grup deputetësh në Britani, pas raporteve mbi përkeqësimin e shëndetit të Morsit, kërkuan nga qeveria egjuptian që t’u mundësojë ta vizitojnë Morsin në burg.

Deputetët britanikë kishin shprehur shqetësime për kushtet në të cilat mbaghej Morsi, duke paralajmëruar se kjo gjendje mund të shkaktojë vdekjen e tij.

Në deklaratë thuhej se Morsi vuante nga diabeti dhe probleme në mëlçi dhe veshkë dhe se atij nuk i ofrohej trajtim i mjaftueshëm mjekësor.

23 nëntor 2017

“Nuk pretendoj se jam i sëmurë, por gjendja ime është serioze. Nuk do të heq dorë nga e drejta për trajtim në ndonjë spital privat ose shtetëror larg spitalit të burgut”, ishte shprehur Morsi gjatë seancës për rastin e njohur si “arratisja nga burgu”, në të cilën gjykoheshin 25 të pandehur.

7 qershor 2017

Mohamed Morsi tha se abstenonte nga ngrënia e ushqimit që servohej në burg, duke thënë se në periudhën më pas ka humbur ndjenjat dy herë në Burgun Tora.

I biri i Morsit, Abdullah, tha se gjendja shëndetësore e babait të tij nuk është e mirë dhe se ai gjatë seancës kishte kërkuar fjalën për të shpjeguar gjendjen e tij, por gjykatësi nuk kishte lejuar një gjë të tillë.

“Mësuam se Mohamed Morsi ka njfotuar të pandehurit e tjerë me të cilët gjendej në kafazin e qelqit në gjykatë se ai është alivanosur dy herë pas vizitës familjare, por se nuk është bërë asnjë intervenim mjekësor”, tha Abdullah Morsi.

7 maj 2017

Morsi, i cili doli para trupit gjykues në Gjykatën Penale të Kajros me akuzën “Fyerje ndaj gjyqtarit”, kërkoi takim me avokatin dhe pjesëtarët e familjes së tij të cilët nuk i kishte takuar prej rreth katër vitesh, duke theksuar se ekzistonin disa “situata që rrezikonin jetën e tij” dhe se për këtë çështje dëshironte të bisedonte me avokatin.

Ndërroi jetë në sallën e gjykatës

Shembulli i fundit i kufizimeve dhe shpërfilljeve mjekësore ndaj Morsit u vërejt në sallën e gjykatës në të cilën ai ndërroi jetë.

Sipas gazetës britanike Independent, dëshmitarët okularë në gjykatë janë shprehur se Morsi është lënë i shtrirë për 20 minuta në dysheme pas rënies.

“Derisa gardianët e nxorrën, ai ngeli në dysheme për një kohë. Një ambulancë mbërriti pas 30 minutash. Të arrestuarit e tjerë ishin të parët që lajmëruan rrëzimin e tij, ata filluan të bërtasin”, tha Abdullah al-Haddad, babai dhe vëllai i të cilit gjykoheshin bashkë me Morsin.

Ndërkaq, një tjetër aktivist i cili ka kërkuar të ngelet anonim për shkaqe siguroi, ngjarjen e rrëfen si në vijim:

“Rreth dhjetë minuta pas ndërprerjes së fjalimit të tij, personat brenda kafazit të të arrestuarve filluan të godasin murin dhe të thonë se Morsi ka humbur vetëdijen. Përkundër thirrjeve të familjeve të tyre, policia për më shumë se 20 minuta nuk bëri asgjë. E lanë aty. Më pas, policia nxorri familjet nga gjykata dhe erdhi ambulanca”, tha ai.

“Morsi u la të vdiste”

Në një deklaratë pas vdekjes së Morsit, Vëllazëria Muslimane (Ihvan) tha se presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur me votë “është mbajtur në qeli në kushte shumë të rënda, është privuar nga të drejtat më të zakonshme, siç është e drejta për trajtim mjekësor, është penguar nga takimet me familjen dhe avokatët, dhe në këtë mënyrë është lënë të vdiste”.

Në deklaratë u bë thirrje për formimin e një komisioni hetimor ndërkombëtar në lidhje me vdekjen e Morsit.

Ndërkaq, Sarah Leah Whitson, drejtoreshë e HRW-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ka deklaruar se vdekja e ish-presidentit Morsi ishte gjendje e kuptueshme “pas viteve të abuzimit të qeverisë, izolimit të zgjatur, pa kujdesin e duhur mjekësor dhe ndalesat e vizitave familjare dhe qasjes së avokatëve”.

Kajro: “Morsi ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore “

Në televizionin shtetëror të Egjiptit u pretendua se “Mohammed Morsi kishte një tumor beninj dhe ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, ndërsa vdekja u shkaktua nga një sulm në zemër”.

Ndërkaq, Shërbimi Shtetëror i Informacionit, në një deklaratë e cila u publikua në gazetën El-Ahram, i quajti “pretendime” komentet e zyrtares së HRW-së Whitson për shpërfilljen që është praktikuar ndaj Morsit.

Presidenti i parë me zgjedhje demokratike

Morsi, si anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt pas revolucionit të vitit 2011 i cili detyroi ish-presidentin Hosni Mubarak të largohej nga detyra.

Pas vetëm një viti në detyrë, më 3 korrik të vitit 2013, ai u rrëzua dhe u burgos me një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel Fattah al-Sisi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu