Qeveria e Maqedonisë në rrezik, dy parti kërcënojnë me largim

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike, Goran Milevski sot ka paralajmëruar se do të rishqyrtojë pjesëmarrjen në Qeveri, nëse pranohet propozimi francez, përcjell INA.

“Së pari jemi të zhgënjyer sepse jemi nga e njëjta qeveri. Propozime të tilla duhej të komunikoheshin ndërmjet palëve. Nëse ata mendojnë se ne nuk jemi një faktor i rëndësishëm, atëherë gënjejnë. Nëse Qeveria e pranon këtë propozim, vendi im nuk do të jetë në një Qeveri të tillë. Nuk mund të ulem me njerëz që nuk e respektojnë mendimin tim. Nuk mund të pranoj që e gjithë historia që kemi mësuar në shkollën fillore dhe të mesme të ndryshojë dhe të thuhet se është e rreme, se na është imponuar nga komunistët”, tha Milevski. Sipas tij, propozimet e Bullgarisë vendosin pikëpyetje mbi identitetin maqedonas.

“Bullgaria tani dëshiron që të na imponojë një histori tjetër, për Samuelin, Kirilin dhe Metodin dhe të tjerët dhe të thotë se janë bullgarë”, tha Milevski.

Pas Liberal Demokratëve, për propozimin francez së fundmi është shprehur edhe partia e Pavle Trajonovit, Lidhja Demokrate.

Përkatësisht, në “Top Tema” në televizionin Telma, Zoran Dimitrovski nga LD e Trajanovit deklaroi se nëse Kovaçevski e pranon propozimin francez, ata do të largohen nga qeveria.

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se nëse qeveria maqedonase e pranon këtë propozim, ajo do të shpërbëhet dhe Maqedonia do të hyjë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Nga qeveria e Maqedonisë deklaruan se nuk kanë pranuar ende një version final të propozimit francez. Kryeministri Dimitar Kovaçevski përmes rrjeteve sociale porositi se formalisht ende nuk e kanë marrë propozimin e Francës, të harmonizuar nga ana e 27 vendeve-anëtare të BE-së. Ai thekson se çfarëdo që të jetë teksti i harmonizuar përfundimtar, duhet të plotësohen disa kushte që i njëjti të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Maqedonisë.

Kushtet e kërkuara nga Kovacevski:

-Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas.

-Çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kornizën negociuese.

-Negociatat mes RMV-së dhe BE-së duhet të fillojnë para nisjes së procedurës për ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës.

-Patjetër të ketë garanci të forta edhe nga Bullgaria, edhe nga BE-ja se nuk do të vendosen kushte të reja jashtë asaj që do të dakordohet në kornizën negociuese dhe protokollin dypalësh. -Çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet edhe me institucionet e RMV-së. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu