Qeveria shtyn ndryshimet Kushtetuese

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, këto ditë tha se qëllimi është të ketë proces të suksesshëm të ndryshimeve kushtetuese, por nuk zbuloi asnjë plan konkret se si planifikon kjo çështje të kalojë në Kuvend. Tani për tani mbetet e paqartë kur do të inicioheshin këto ndryshime kushtetuese, për të cilat vetë Mariçiqi tha se ende nuk është përcaktuar kalendari për nisjen e tyre, por se duhet të përfundojnë deri në fund të procesit të skriningut.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE kanë qëndrim të prerë se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, për çka, siç tha edhe kryetari i partisë, Hristijan Mickoski deputetët e partisë së tij kanë dorëzuar deklaratë të noterizuar se do të jenë kundër. Kështu, mbetet e paqartë se si do të sigurohet shumica 2/3 që të sillen këto ndryshime, pasi deklaratat e Mariçiqit në emisionin “Triling” ku tha se me këtë do të shihet se kush është për BE, e kush jo, nuk pritet t’ua ndryshojnë mendjen deputetëve opozitarë.

“Mendoj se çdo parti politike dhe çdo deputet duhet të ketë ndjenjë për përgjegjësi në periudhën e ardhshme, sepse ky proces sapo ka filluar, do të ketë kohë për të punuar dhe për të vendosur nëse është “për” rrugën e Bashkimit Evropian apo kundër. Mendoj se kjo është dilema, nuk është asgjë tjetër. Mendoj se të gjitha partitë, të gjithë deputetët do të kenë mundësi në periudhën që vijon… ne do të hapim një dialog, do të flasim me të gjithë, që të deklarohen se në cilën anë të procesit do të jenë – për BE-në dhe vazhdimin e kësaj rruge ose për ngecje dhe bllokada të reja”, tha zëvendskryeministri Për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Në ndërkohë nga VMRO-DPMNE kërkojnë të organizohet referendum për propozimin francez. Zëdhënësi i partisë, Naum Stoilkovski, i bëri thirrje pushtetit që ta pranojë iniciativën, duke përsëritur se nuk do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu