Qytetar Nderi i Tiranës, batuta e Ali Ahmetit: Nëse nuk e vë flamurin shqiptar në zyrë, marr 5 mijë euro gjobë

Pas marrjes së titullit ‘Qytetar Nderi’ në Tiranë, kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, politikani shqiptar Ali Ahmeti, mbajti fjalën e tij, duke shprehur mirënjohje, ndërsa ktheu sytë pas nga historia.

Në fjalën e tij falenderuese, Ahmeti tha se rruga ka nisur me planin për bashkimin e tokave shqiptare, por se me ndryshimin e rrethanave u ndryshua edhe strategjia.

Ndër të tjera, Ahmeti bëri dhe batuta, duke thënë se nëse nuk e mban flamurin shqiptar në zyrë, gjobitet me 5 mijë euro.

“Të dashur vëllezër e motra, i dashur kryeministër, i dashur president Moisiu, president Topi, i dashur Balla, i dashur Namik, i dashur ministër i Jashtëm, e dashur Arta Dade, profesorë e diplomatë, i dashur zoti Majko, ambasador në Maqedoni, unë kam miq këtu, shumë, Iliri, Shkëlqimi, Ismeti, i dashur Sokol Peza, i dashur Shaban, profesor, i dashur Erion, do të doja t’ju falënderoj nga zemra. Kjo është Tirana dhe e Adem Jashari, Tirana e Zaim Pajazitit e Xhevë Krasniqit

Tirana ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë që nëna këtu në prehrin e vetë i ka mbajtur. Do të doja t’ju falënderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha; ‘Mos e falënderoni njëri-tjetrin nëse të gjithë keni punuar në arën tuaj, vetëm punë e mbarë të thuhet kur punët bëhen’.

Vërtet Shqipëria ka ndarë bukë e kripë me zemër me ne, me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, janë shqiptarët në Maqedoni shtet formues.

E kam thënë botërisht se kur kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare dhe nuk kam asnjë reverëve, se ka dhe asisoj që thotë e kemi nisur për demokraci.

E kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, rrethanat ndryshuan dhe ne ndryshuam strategjinë, duke parë gjeopolitikat, gjeostrategjitë dhe u përkushtuan në çlirim e Kosovës, por pa garanca që nuk do të ketë kryengritje në Maqedoni, sepse Shqiptarët që morën pjesë vullnetarisht në luftën e Kosovës, ca u vranë në burgjet e Idrizovës dhe kjo situatë ishte e pakontrollueshme, por edhe e përpunueshme shumë më herët sepse shqiptarët në Maqedoni ishin të diskriminuar.

I dashur Edi, sot edhe ju Skënderbeun e Tiranës po dhe unë e kam në Shkupin e vjetër, mu në qendër. Dhe ju me krenari është flamuri kombëtar, por edhe unë dënohem nëse nuk e kam flamurin kombëtar në kancelari, në zyrë, në komunë, 5 mijë euro është gjoba.

Tre universitete, i dashur Edi, ia kemi marrë Mlladiqit, në Shkup i Nënë Terezës, në Tetovë dhe Kumanove. Kemi dhe shumë punë për të bërë, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen që na ka dhënë shteti shqiptar.

Unë e njoh Tiranën e 2001, por jo të 2024. Është komplet tjetër dhe kjo nuk më gëzon vetëm mua, por çdo shqiptar që vjen dhe e viziton. Doja t’ju falënderoj për këtë nder, do përpiqem të jem qytetar i disiplinuar Çdo aktivitet që ju keni, unë do të jem pjesëmarrës sepse tani është dhe qyteti im”, tha Ahmeti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu