Qytetarët e Kosovës dhe Malit të Zi do të votojnë për pamjen e re të euros

Screenshot

Paraqitja e ardhshme e kartëmonedhave euro do të përcaktohet edhe nga votat e qytetarëve të Kosovës dhe Malit të Zi, ndonëse këto dy vende nuk janë pjesë e eurozonës.

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka përzgjedhur 10 propozime për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro, të bazuara në temat “Kultura evropiane” dhe “Lumenjtë dhe zogjtë”. Përzgjedhja u bë pas një konkursi në nivel të Bashkimit Evropian, ku u paraqitën mbi 1.200 dizajne nga autorë të ndryshëm.

Para vendimit përfundimtar, BQE do të zhvillojë një anketë publike ku mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët e Evropës, përfshirë edhe ata nga shtetet që nuk janë pjesë e eurozonës. Kjo do të thotë se të drejtë vote do të kenë edhe qytetarët e Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat e përdorin euron si valutë zyrtare, si dhe qytetarët e Andorrës, Monakos, Vatikanit dhe San Marinos.

Megjithatë, Banka Kombëtare e Kroacisë ka sqaruar se vendimi përfundimtar nuk do të merret vetëm mbi bazën e anketës publike. Paralelisht, BQE po zhvillon edhe një hulumtim të veçantë me një mostër përfaqësuese të qytetarëve të vendeve të eurozonës.

Në fund, Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane do të vendosë për dizajnin e ri të kartëmonedhave, duke u bazuar në rezultatet e të dyja anketave, si dhe në vlerësimet profesionale dhe teknike të propozimeve./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu