Bullgaria pret që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga ana e presidentes Gordana Siljanovska të bëhet politikë konsistente e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky, siç bëri të ditur kabineti i presidentit bullgar Rumen Radev, është qëndrimi të cilin ai ia ka transmetuar presidentes Siljanovska Davkova në takimin e sotëm në Sofje.
Në takim, presidenti Radev theksoi se dialogu në nivel më të lartë mes të dy vendeve duhet të jetë aktiv dhe ta stimulojë punën e qeverive, bizneseve, si dhe shkëmbimit dypalësh në sferën e arsimit, shkencës dhe kulturës.
“Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me RMV-në dhe pret që ajo jo vetëm të ndihmojë në afrimin dypalësh kulturor dhe bashkëpunimin ekonomik, por edhe të arrijë përmes saj zgjidhjen e çështjeve të hapura në marrëdhëniet tona. Ato duhet të vendosen në bazë të Marrëveshjes për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin, protokollet e nënshkruara në të dhe Konkluzionet e Këshillit Evropian nga vera e vitit 2022, të miratuara unanimisht nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe me pëlqimin e RMV-së”, theksoi Rumen Radev. Shefi i shtetit shtoi se kjo është një mënyrë për të hapur procesin e negociatave për integrimin e plotë evropian të fqinjit tonë në interes të rinisë së vendit dhe do të jetë shenjë pozitive për të gjithë rajonin.
Presidenti Radev bëri thirrje edhe për përpjekje më aktive të përbashkëta nga ana e Bullgarisë dhe RMV-së për ndërtimin e korridorit transportues 8, i cili është me rëndësi kyçe për lidhjen dhe sigurinë e Evropës Juglindore dhe do të krijojë kushte të reja cilësore për biznes, turizëm, dhe nxitje të investimeve në planin rajonal, bëhet e ditur në kumtesën e kabinetit të presidentit bullgar Rumen Radev të dhënë pas takimit me presidenten e vendit tonë Gordana Siljanovska Davkova.